TEL AVIV, 9 shkurt /ATSH-DPA/- Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë ngritur një spital fushor në Turqi për t’u kujdesur për viktimat në një nga qytetet më të goditura nga tërmeti në vend.
Një ekip do të ofrojë ndihmë mjekësore për banorët në qytetin jugor të Kahramanmarasit.
Izraeli ka dërguar rreth 380 punonjës të ndihmës emergjente në vend, duke përfshirë mjekë, infermierë dhe ndihmësmjekë.
Ushtria izraelite tha se personeli i saj ka shpëtuar 17 persona nga rrënojat e ndërtesave të rrëzuara në Turqi deri më tani.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu njoftoi të hënën ndihmën për Sirinë fqinje, pavarësisht se dy vendet janë zyrtarisht në luftë.
Franca tha se po dërgonte një spital të lëvizshëm në Turqinë jugore, së bashku me 50 000 doza vaksinash për të parandaluar infektimin e mundshëm.
Gjithashtu, Franca dërgoi 136 ekspertë të zjarrit me 10 qene nuhatës në zonën e tërmetit.
Për të mbështetur popullsinë e prekur nga tërmeti në Siri, Franca u ka ofruar organizatave të ndihmës 12 milionë euro (12.9 milionë dollarë).//a.i/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.