BRUKSEL, 9 shkurt /ATSH-DPA/- Avionët luftarakë të NATO-s u ngritën 570 herë për të monitoruar fluturimet ushtarake ruse në hapësirën ajrore ndërkombëtare, vitin e kaluar.
“Kjo do të thotë se numri i përgjimeve të tilla, pothuajse u dyfishua në krahasim me vitin 2021”, konfirmoi një zëdhënës i NATO-s pas një raporti të grupit mediatik gjerman Redaktionsnetzwerk Deutschland (RND).
Megjithatë, burimet e NATO-s thanë se rritja e numrit të përgjimeve nuk ishte vetëm si rezultat i rritjes së aktiviteteve nga forcat ajrore ruse, por edhe nga prania më e madhe e NATO-s në krahun lindor, për shkak të luftës së Moskës kundër Ukrainës, që nënkuptonte dukshëm më shumë avionë të disponueshëm për mbikëqyrjen ajrore atje.
Shumica e misioneve u zhvilluan mbi Detin Baltik.
“Aeroplanët ushtarakë rusë fluturuan gjithashtu mbi anijet e NATO-s në një patrullë rutinë në Detin Baltik në një mënyrë të pasigurt në nëntor. Aleatët kanë përdorur kanale diplomatike për të ngritur shqetësimet e tyre tek zyrtarët rusë për këto incidente”, tha zyrtari i NATO-s.
Përgjimet përfshijnë fluturime nga avionët luftarakë të NATO-s, gjatë të cilave ata përcaktojnë nëse një avion i caktuar përbën një kërcënim apo jo. Nëse është e nevojshme, kjo mund të ndalet me forcë. //a.i/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.