Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Kushtetuesja shtyn seancën për padinë e PD-së, Bardhi: Gati të çojmë firma të tjera

TIRANË, 11 prill/ATSH/ Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për në datën 26 prill seancën për shqyrtimin e padisë së Partisë Demokratike për Vendimin e Këshillit të Ministrave për operacionet për ndërtimet pa leje.

Gjatë seancës së sotme, përfaqësuesja e qeverisë Elira Kokona është shprehur se pala paditëse nuk legjitimohet pasi padia e depozituar më 14 tetor është firmosur nga Grida Duma dhe Alfred Rushaj që kanë hequr dorë nga mandati i deputetit.

Sipas saj, në kërkesë padi janë vetëm 26 deputetë dhe Gjykata vihet në lëvizje nga minimumi 28 deputetë.

Ajo kërkoi që Gjykata Kushtetuese të pushojë gjykimin për këtë çështje.

Në një prononcim për mediet pas përfundimit të seancës, deputeti i PD-së, Gazment Bardhi u shpreh se shtyrja e seancës është taktik e qeverisë për mos e shqyrtuar çështjen.

Bardhi tha se PD do i zëvendësojë dy format që kërkohen nga ana e gjykatës dhe se do të vijojë të ndjekë çështjen e VKM-së për operacionet për ndërtimet pa leje në rrugë ligjore.

Ai deklaroi se “është fakt i njohur publik se grupi parlamentar i PD-së ka më shumë se 28 anëtarë, pra është i gatshëm të dorëzojë firmat e posaçme. Ky është një pretendim absurd i Këshillit të Ministrave dhe bëhet vetëm me qëllimin për të fituar kohë dhe për të shtyrë shqyrtimin e kësaj çështje. Nëse Gjykata çmon për 28 firma të tjera, jemi gatshëm të depozitojmë edhe 28 të tjera”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.