TIRANË, 3 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se qeveria është në proces të lidhjes së kontratave për ndërtimin e Korridorit Blu, të cilën e cilësoi aksin më vital për ekonominë e vendit.
I ftuar në një emision televiziv, Rama tha se ai është aksi më i ngarkuar dhe më vital për ekonominë dhe turizmin e vendit.
“Bën një lidhje shumë të rëndësishme me Kosovën por edhe me unazën turistike të Europës duke shkuar në Muriqan e duke u lidhur me Malin e Zi. Është Korridori Blu. Ne e kemi filluar me Thumanë-Kashar dhe ndërkohë janë bërë garat, janë lidhur kontratat për Kashar-Lekaj pastaj Lekaj-Fier. Shkon gjithë rruga drejt në Fier që lidhet pastaj me Vlorën”, tha Rama.
Ndërkohë, ai shtoi se lart është edhe segmenti Milot-Balldren dhe segmenti i Muriqanit, që është segmenti i fundit i pambuluar me financim dhe kontraktim.
“Po bëhet një projekt ku do të bazohemi te fondet tona, sepse nuk ka fizibilitet për t’u bërë me privatin”, tha Rama.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.