UASHINGTON, 10 shkurt /ATSH-AFP/ – SHBA do të japin 85 milionë dollarë ndihma për Turqinë dhe Sirinë, njoftoi dje Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim (USAID), pas tërmetit shkatërrues që goditi të dy vendet të hënën.
USAID tha në një deklaratë se financimi do të shkojë për partnerët në terren për të ofruar ndihmën e nevojshme urgjente për miliona njerëz, përfshirë ushqim dhe kujdes shëndetësor.
”Ndihma gjithashtu duhet të ndihmojë në furnizimin me ujë të pijshëm dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjeve”, tha agjencia.
Njoftimi vjen pas një telefonate të së enjtes mes kreut të diplomacisë amerikane Antony Blinken dhe homologut të tij turk Mevlut Çavusoglu për të diskutuar nevojat e këtij aleati, anëtar i NATO-s.
“Ne jemi krenarë që i bashkohemi fushatës globale për të ndihmuar Turqinë. Turqia ka dërguar shpesh ekspertët e saj të ndihmës në shumë vende në të kaluarën”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price.
USAID thotë se ekipet e shpëtimit po përqendrojnë përpjekjet e tyre në qytetin e goditur nga tërmeti, Adiyaman, duke kërkuar për të mbijetuar.
”Për shkak të dëmtimit të rrugëve dhe urave, Pentagoni dërgoi helikopterët ‘Black Hawk’ dhe ‘Chinook’ për të transferuar furnizimet”, tha USAID.
Ndihma në Siri kalon përmes partnerëve lokalë.
Një autokolonë e ndihmës së parë hyri dje në zonat rebele në veriperëndim të Sirisë, për herë të parë që nga fatkeqësia.
Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi heqjen e përkohshme të sanksioneve kundër Sirisë, me qëllim që ndihma të arrijë tek popullsia e prekur sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Ne i bëjmë thirrje regjimit të Bashar al -Assadit që të lejojë menjëherë hyrjen e ndihmave në të gjitha pikat kufitare dhe të lejojë aksesin për organizatat humanitare për të gjithë sirianët në nevojë, pa përjashtim”, tha zëdhënësi Ned Price./ a.jor.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.