TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Qyteti bregdetar i Vlorës i bashkohet këtë vit mbështetjes në pastrimin e bregdetit përgjatë pikut të sezonit nga qershori në shtator, me operatorin shtesë të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, duke siguruar pastrim 24 orë.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila i bëri apel qytetarëve dhe bizneseve të mbajnë pastër mjedisin ku jetojnë.

Duke e vënë theksin tek vështirësitë e pafundme, Kumbaro u shpreh se “sfidë e përditshme mbetet së pari me bizneset që hedhin e mbushin koshat e destinuar për familjarët me qeset e restorantit a të hotelit, duke helmuar mjedisin e shkatërruar peizazhin, prandaj u është kërkuar të gjitha strukturave në terren të ndëshkojnë maksimalisht këdo që s’heq dorë nga mbrapshtësitë dhe e quan natyrën mall pa Zot”.

Ministrja Kumbaro i bën thirrje të gjithë qytetarëve e pushuesve të mos hedhin shishen nga makina, mos të lënë qesen e plehrave kuturu dhe të mos shëmtojnë mjedisin.

Në Vlorë ka dyfishim të forcave përmes operatorit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit duke bërë pastrim të koordinuar me forcat e bashkisë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.