Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Kërkesa për shkarkimin e Nikollës, Çupi: U lexua vetëm raporti i PS

TIRANË, 10 shkurt /ATSH – I. Vata/ Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Legjislacionit të mbledhur për kërkesën e Partisë Demokratike, ku kërkohet shkarkimi i Lindita Nikollës, nga posti i Kryetares së Kuvendit.

Në një deklaratë për mediat, deputetja e PD, Dhurata Çupi tha se, në mbledhje u lexua vetëm raporti i Partisë Socialiste, ndërsa nuk u lexua raporti i PD, sepse deputeti Gazment Bardhi u përjashtua nga Kuvendi për një afat 10 ditor.

Sipas saj, përjashtimi i deputetëve të PD-së është bërë me qëllim që të kalojë për votim nga mazhoranca ky raport.

“Mbledhja nuk u lejua të ishte e hapur me prezencën e gazetarëve. Seancën e kaluar nuk e ngritëm këtë shqetësim. Këtë mbledhje debatuam dhe nuk lejuan që kamerat jenë në sallë në transparencë me publikun dhe median. Në mbledhjen e kaluar u vendos që ditën e premte të lexoheshin raportet nga palët përkatëse. Relator u caktua Gazment Bardhi. Pasi u mbyll Këshilli i Legjislacionit të mërkurën, Bardhi u përjashtua për 10 ditë nga mbledhjet e komisionit. Kjo ishte arsyeja pse opozita depozitoi raportin e përgatitur nga ana e opozitës, por nuk ishte i pranishëm Bardhi, për shkak se është përjashtuar pas mbledhjes”, theksoi Çupi.

“Ne kërkuam që Bardhi të ishte i pranishëm. Kjo nuk u miratua nga kryetarja e seancës së radhës, zonja Felaj dhe nuk u mbështet as nga maxhoranca. Këshilli i Legjislacioni është në raport 5 me 5 anëtarë dhe ata përjashtuan Bardhin që me votën e kartonit të vendosnin që mbledhjet të mos ishin live dhe raporti të mos lexoje nga Bardhi”, tha Çupi.

Ndërsa deputeti tjetër i PD, Saimir Koreshi tha se, ky komision duhet të kishte marrë vendim para 6 ditësh.

“Shpejtësia me të cilin marrin këtë vendim është se, në momentin kur do kalojë në Kuvend, 9 deputetë demokratë nuk do jenë të pranishëm. Në tejkalim të afateve 48 orë, u bë pas 6 ditësh. Është kaluar në datën 8 shkurt, ndërkohë që rregullorja e Kuvendit parashikon që brenda 48 orëve ky sekretariat duhet të kishte marrë vendim. Këta e kanë si me qejf të hënën ta fusin raportin, por dhe të enjten prapë kolegët tanë s’janë. Ky komision duhet të kishte marrë vendim para 6 ditësh. Vetë e firmosën dhe pastaj vijnë të hënën. Ky është një maskaradë që bëjnë, por ndoshta përgjigjen e marrin nesër”, tha ai.

/gj.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.