Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

AMA dënon dhunën ndaj medias në investigimin e një veprimtarie të paligjshme

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA dënoi sot dhunën e ushtruar ndaj një grupi xhirimi të televizionit Top Channel, që hetonte një rast paligjshmërie në afërsi të Niklës në qarkun e Durrësit.

Në një njoftim për shtyp, AMA thekson se, “pamjet e transmetuara të mërkurën në mbrëmje (08.02.2023), në emisionin investigativ “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, janë shumë shqetësuese për lirinë e ushtrimit të profesionit”.

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA dënon ashpër ushtrimin e dhunës verbale dhe fizike që shkoi deri dhe përdorimin e armës së zjarrit për frikësimin e reporteres dhe kameramanit, si akte të papranueshme dhe goditëse për lirinë e fjalës.

“Aq më tepër që ngjarja ndodhi në një pronë publike, buzë lumit, ku një grup personash kryenin aktivitet të paligjshëm me pretendimin se ishin në “pronën” e tyre”, thekson AMA.

AMA pret me padurim hetimin e detajuar të këtij rasti të rëndë, duke nxitur autoritetet ligjzbatuese që të zbardhin plotësisht dhe sa më parë rrethanat e ngjarjes, si dhe personat përgjegjës të dalin para drejtësisë.

/k.s/ /gj.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.