PRISHTINË, 8 shkurt/ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë e ka ulur në gjysmështizë flamurin amerikan këtë të mërkurë.
Kjo është bërë në nderim të viktimave që humbën jetën si pasojë e tërmetit të fuqishëm në Turqi.
“Pas vendimit të presidentes Osmani që sot të jetë ditë zie për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri, iu bashkuam Qeverisë së Kosovës në uljen e flamurit tonë në gjysmështizë në respekt dhe përkujtim për ata që humbën jetën nga kjo ngjarje tragjike”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Presidentja Vjosa Osmani e ka shpallur të mërkurën ditë zie shtetërore në Kosovë, në shenjë solidarizimi me Turqinë dhe Sirinë, të cilat janë goditur nga një tërmet i fuqishëm që ka lënë të vdekur mijëra persona. /KosovaPress/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.