Gjatë tridhjetë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë vendi i masakrave dhe sulmeve të shumta.
Duke filluar nga sulmet terroriste, te masakrat e kryera me armë zjarri të ndaluara ligjërisht, një nga arsyet kryesore ka qenë urrejtja.
Para 11 shtatorit 2001, vlen të kujtojmë sulmin në Oklahoma Siti, një sulm terrorist, i kryer më 19 prill 1995 kundër ndërtesës federale “Alfred P. Murrah”, në qendër të qytetit të shtetit me të njëjtin emër.
Ajo rezultoi me vdekjen e 168 personave, përfshirë 19 fëmijë dhe plagosjen e 672 të tjerëve.
Ishte sulmi më i përgjakshëm terrorist brenda kufijve të Shteteve të Bashkuara para atij që ndodhi në Kullat Binjake.
Veterani i Luftës së Gjirit, Timothy McVeigh, u shpall fajtor. Ai u ekzekutua më 11 qershor 2001 me një injeksion vdekjeprurës.
Terry Nichols, bashkëpunëtori i McVeigh, u dënua me burgim të përjetshëm. Sulmi në Kullat Binjake – Ajo që mbeti e pashlyeshme në imagjinatën e të gjithëve, është sulmi i 11 shtatorit 2001, nga terroristët e Al Kaedës, i cili shkaktoi vdekjen e 2,977 personave (plus 19 rrëmbyesve) dhe plagosjen e mbi 6 mijë personave të tjerë.
Masakrat në shkolla – Që nga masakra e Columbine School në vitin 1999, e cila shkaktoi 13 të vdekur dhe 24 të plagosur, ka pasur shumë sulme masive në shkollat amerikane.
Kujtojmë ato që u kryen në Appalachian School (viti 2002, 3 të vdekur dhe 3 të plagosur), në Red Lake School (2005, 9 të vdekur), në Virginia Tech (2007, 33 të vdekur dhe të plagosur), Sandy Hook (2012, 28 të vdekur dhe 2 të plagosur), në shkollën e mesme Chardon (2012, 3 të vdekur dhe 3 të plagosur).
E fundit në rendin kronologjik, është ajo Uvalde, Teksas, ku një person i armatosur 18-vjeçar vrau 19 fëmijë dhe dy të rritur përpara se të vritej nga oficerët më 24 maj 2022.
Sulmet me antraks në vitin 2001 – Vetëm një javë pas sulmit në Kullat Binjake, ndodhën sulmet me antraks, të njohura edhe si “Amerithrax”, të emërtuar sipas rastit zyrtar të mbështetur nga FBI.
Ishte një seri pako-sporesh antraksi, dërguar organizatave të lajmeve dhe dy senatorëve të Partisë Demokratike, të cilat rezultuan me vdekjen e 5 personave dhe helmimin e 17 të tjerëve.
Hetimet e FBI-së, çuan në identifikimin e Bruce Edwards Ivins si autor. Më 12 tetor, një letër plot me gjurmë antraksi u gjet në selinë e stacionit televiziv NBC në Nju Jork. Një javë më vonë, një tjetër zarf u gjet nga agjentët e FBI-së në zyrat e revistës “New York Post”.
Sulmi në Maratonën e Bostonit – Gjatë maratonës vjetore të Bostonit më 15 tetor 2013, ndodhi një sulm me bombë, në të cilin 3 persona u vranë dhe mbi 200 u plagosën.
Për FBI-në, dy personat e dyshuar për vendosjen e bombave, ishin Dzochar Carnaev dhe vëllai i tij Tamerlan, të dy çeçene, të cilët dyshohet se vepruan në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmeve amerikane në botën myslimane.
Masakra e Çarlestonit – Masakra e Charlestonit në qershor 2015, mori jetën e 9 personave.
Një djalë 21-vjeçar hapi zjarr brenda kishës së ungjillit në Charleston, Karolina e Jugut. Djali më vonë pretendoi se ai e kishte bërë aktin për të ndezur një luftë racore.
Masakra në Orlando – Masakra në Orlando, Florida, ndodhi brenda klubit të natës “Pulse” në Orlando, natën midis 11 dhe 12 qershorit 2016.
Një vrasës, nga një dhomë hoteli filloi të qëllonte me mitraloz mbi të pranishmit në një shesh që po shijonin një grup muzikor: rreth 320 persona.
Viktimat e konfirmuara ishin 49, përveç autorit, ndërsa të plagosurit ishin 58. Motivi dyshohet se ishte homofobik sipas autoriteteve.
Masakra e El Pasos – Masakra e El Pasos, e ndodhur më 3 gusht 2019 në Teksas, ndodhi gjatë të shtënave brenda një qendre tregtare të njohur në SHBA, “Walmart”.
22 persona humbën jetën, ndërsa 24 të tjerë u plagosën. Vrasësi, 21-vjeçari Patrick Crusius, u arrestua menjëherë pas sulmit.
Masakra e Bufalos – Më 14 maj 2022, 18-vjeçari supremacist i bardhë, Payton Gendron, hapi zjarr në një supermarket në Bufalo, qytet në shtetin e Nju Jorkut.
Ai vrau 10 afrikano-amerikanë, në një krim që konsiderohet për shkak të urrejtjes së motivuar nga racizmi.
****
Ngjarja tragjike në Teksas, 10-vjeçarja që u vra pasi telefonoi 911
Një nxënëse e klasës së katërt, Amerie Jo Garza, e cila shkonte në shkollë në Uvalde, Teksas, u përpoq të telefononte 911 nga celulari i saj përpara se 18-vjeçari i armatosur ta vriste. Gjyshja e Amerie, 49-vjeçarja Berlinda Arreola, tha për Daily Beast se 10-vjeçarja kishte celularin e saj kur i armatosuri hyri në klasë.
“Mbesa ime u qëllua dhe u vra pasi u përpoq të telefononte 911, ajo vdiq si heroinë duke u përpjekur të merrte ndihmë për të dhe shokët e saj të klasës”, tha ajo.
Arreola tha gjithashtu se personi i armatosur u kishte thënë nxënësve: “Ju do të vdisni”. “Amerie kishte telefonin e saj dhe telefonoi 911,” shpjegoi gjyshja. “Dhe në vend që t’ia merrte, ai e qëlloi … Ajo ishte ulur pranë shoqes së saj më të mirë. Shoqja e saj ishte e mbuluar me gjak.”