Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

BE: Shqipëria, pjesë e mbështetjes evropiane për të prekurit nga tërmeti në Turqi

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, vlerësoi sot mobilizimin përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, të ekipit shqiptar të kërkim-shpëtimit dhe ndihmës mjekësore në Turqi, pas tërmetit shkatërrimtar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Delegacioni i BE informoi se, ekipi shqiptar i kërkimit, shpëtimit dhe ndihmës mjekësore me 54 anëtarë, të mobilizuar përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, ndodhet tashmë në terren për të ndihmuar Turqinë pas tërmetit shkatërrimtar.

Delegacioni i Bashkimit Europian theksoi se, “Shqipëria, së bashku me 18 shtete evropiane, u bë menjëherë pjesë e mbështetjes evropiane për të prekurit nga tërmeti”.

“Shembulli më i mirë i solidaritetit evropian”, thuhet në njoftimin e ambasadës së BE-së.

Pak ditë më parë, Shqipëria hodhi hapin e fundit për t’u bërë anëtare e plotë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, duke miratuar në Kuvend marrëveshjen përkatëse. /m.m/ /gj.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.