Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Berisha zgjidhet kryetar me 99% në zgjedhjet që thirri vetë, ndërsa pritet ende vendimi i Apelit për PD

Në zgjedhjet e thirrura nga Komisioni i Rithemelimit, demokratët zgjodhën në krye të Partisë Demokratike, forcës politike më të madhe opozitare, Sali Berishën, një njeri i shpallur ’Non Grata’ nga aleati më i madh i shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në zgjedhjet e mbajtura këtë 22 maj 2022, ish-kryeministri mori gati 99% të votave në të gjitha degët e partisë (108 në total), duke mundur kështu kandidatin tjetër dhe të vetmin, Ibsen Elezi, në një garë rezultati i së cilës nuk ishte aspak surprizë.

Mirëpo përtej entuziazmit të Sali Berishës, që vjen në krye të PD-së pas një shkëputje prej 9 vitesh, do të jetë Gjykata ajo që do të thotë fjalën e fundit.

Kjo sepse statuti i Partisë Demokratike është në Apel dhe pritet vendimi përfundimtar. Nëse gjyqtarja Blerina Muça do të lërë në fuqi vendimin e Agron Zhukrit, atëherë ai do të jetë kryetar legjitim i PD-së, në të kundërtën nëse vendimi i atij gjyqtari pa vetting do të hidhet poshtë, Berisha do të jetë thjesht një kryetar i zgjedhur nga një palë zgjedhje që i thirri vetë, e që do të jenë të pavlefshme.

Berisha nisi betejën e tij për të marrë drejtimin e partisë që themeloi vetë, pasi Lulzim Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar demokrat sepse u shpall ‘Non Grata’ nga SHBA për korrupsion e minim të demokracisë.

Që nga 9 shtatori 2021, Berisha nisi një fushatë kundër Lulzim Bashës, duke bërë që ky i fundit të japë dorëheqjen, ndërsa PD u fut në një krizë nga e cila nuk ka dalë ende.

o.p. / dita