Teksa temperaturat janë rritur dhe tashmë ka nisur sezoni turistik, ujërat e bregdetit të Kunës në Shëngjin janë mbuluar nga një pluhur i verdhë.
Kjo situatë vijon prej dy ditësh dhe nuk dihet çfarë mund të ketë shkaktuar këtë ndotje në një kohë kur pritet të vijnë turistë në brigjet shqiptare.
Problematika e krijuar ka shqetësuar pushuesit dhe bizneset në zonë, ndërsa janë vënë në lëvizje IKMT dhe Agjensia e Mjedisit për të verifikuar situatën në terren.
Ata kanë marrë analizat e ujit për të përcaktuar shkaqet e ndotjes ndërsa përgjegjësi i IKMT Lezhë, Gjergj Elezi thotë se një lëndë e verdhë dyshohet se është hedhur nga anijet që mund të kenë shkarkuar vaj në bregdet, por mbetet e paqartë se çfarë është dhe nëse ndikon në shëndetin e pushuesve, të cilët janë shumë të shqetësuar pasi po kalojnë këtë të diel në plazh.
“Ne kemi njoftuar policinë, kapitenerinë, agjensinë rajonale të mjedisin që ka marrë kampionin se çfarë lënde mund të jetë hedhur në det. Dyshimet e para tonat se materiali duhet të jetë hedhur nga anijet sepse është ndotje e madhe që ka prekur të gjithë bregdetin e Shëngjinit. Kjo ndotje është shqetësuese dhe në aspektin visual”, thotë përgjegjësi i sektorit të Mjedisit dhe Ujërave IKMT Lezhë.
j.l./ dita