VJENË, 7 shkurt /ATSH-DPA/- Përpara samitit të ardhshëm të BE-së, Austria dhe shtatë vende të tjera i kërkuan bllokut të marrë masa konkrete për të parandaluar rritjen e numrit të migrantëve.
“Nevojiten më shumë masa të financuara nga BE-ja për të mbrojtur kufijtë e jashtëm, deportime më të shpejta dhe marrëveshje të reja riatdhesimi me vendet joanëtare të BE-së”, sipas një letre nga kancelari austriak Karl Nehammer, të nënshkruar edhe nga krerët e qeverive të Danimarkës, Greqisë, Letonisë, Sllovakisë, Maltës, Estonisë dhe Lituanisë.
Samiti dyditor fillon të enjten.
“Sipas mendimit tonë, sistemi aktual i azilit është i prishur dhe në radhë të parë kontrabandistët cinikë të qenieve njerëzore, po përfitojnë nga fatkeqësia e grave, burrave dhe fëmijëve”, shkruajnë drejtuesit në letër.
Letra i drejtohet presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel.
Krerët e qeverive kujtojnë se disa shtete, si Austria, aktualisht po përjetojnë një numër të lartë të të ardhurve të rinj dhe kërkesa për azil, njësoj si në valën masive të migrimit në 2015-2016.
“Autoritetet kombëtare dhe lokale po luftojnë për të përballuar fluksin, dhe situata është thellësisht shqetësuese dhe nevojiten masa konkrete”, thuhet në letër.
Qëllimi është t’u jepet përparësi njerëzve që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, përfshirë refugjatët nga Ukraina.//a.i/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.