Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Butrinti/ Rama: Ndryshimi i kufijve të Parkut me kërkesë të UNESCO! Marrëveshja miratohet me 75 vota pro në Kuvend

Në seancën finale për miratimin e marrëveshjes që si synim ka administrimin e Butrintit për 10 vite nga Fondi Shqiptar-Amerikan për Zhvillim, opozita ka vijuar me akuzat që pas këtij veprimi fshihet një koncesion. Deputetja e PD-së Ina Zhupa tha se parku i Butrintit po jepet me koncesion për 10 vite për një fondacion privat, me anë të një modeli të koncesionit që nuk ishte par ëmë parë një gjë e tillë.

“Është shpikje shqiptare për të dhënë Butrintin me koncesion. KLSH i hiqet mundësia që mos të kontrollojë se çfarë po bën Fondacioni në Butrint, pasi është privat”, tha Zhupa.

Nga ana tjetër, Sali Berisha vijoi akuzat për Fondin Shqiptaro-Amerikan, duke thënë se ka në plan betonizimin e Parkut.

“Fondi është autor i planit të menaxhimit dhe ka bërë një plan tjetër që nuk e publikon sepse nuk thotë këto që thotë plani i dytë. A ekziston konflikti i interesit, në këtë rast, a është një nga parimet madhore të korrupsionit”, tha Berisha në Kuvend.

Edhe deputeti socialist Pandeli Majko ngriti në Kuvend shqetësimin e ndryshimit të kufijve ku një pjesë e kësaj pasurie është lënë jashtë.

“E hapa këtë vendim që zëvendëson 2002, dhe aty ka vetëm një paragraf mes të tjerave janë ndryshuar kufijtë e disa zonave”, tha Majko.

Përballë këtyre akuzave, nga ‘Foltorja’ e Kuvendit, kryeministri Edi Rama ka sqaruar se ndryshimi i kufijve është bërë me kërkesë nga UNESCO për shkak të ndërtimeve pa leje pa kriter që u bën në kohën e Sali Berishës.

“Ndryshimi i kufijve të parkut ka ardhur si rezultat i hapjes së rrugës nga një valë ndërtimesh pa leje në zonën e Ksamilit. Rishikimi i kufijve të parkut është bërë me kërkesë të UNESCO, në mënyrë që të hiqeshin nga zona e parkut të gjitha ato pjesë të kalbëzuar për shkak të ndërtimtarisë pa leje”, tha Rama.

Ai tha se qeveria e tij, në ndryshim nga e kaluara ka shtuar zonat e mbrojtura, teksa ia bëri të qartë opozitës se ky plan për Butrinit është më i miri dhe se do ta votojnë nga bërë asnjë ndryshim në ligj.

“Ne jo vetëm nuk kemi ngrenë zona të mbrojtura, por i kemi gjetur të kafshuara nga ndërtimet pa leje, ne kemi zgjeruar hartën e zonave të mbrojtura. (…)Ne do ta votojmë siç është ligjin për Butrintit dhe nuk mund të mbani asgjë peng”, tha Rama.

Pavarësisht akuzave dhe debateve thuajse 2 vjeçare, Kuvendi miratoi me 75 vota pro, 18 kundër projektligjin për menaxhimin e Parkut të Butrintit.

Marrëveshja synon zhvillimin e Parkut të Butrintit, dhe kthimin e tij në një pikë të rëndësishme turistike. Do të shtohen shërbimet për vizitorët, mes të cilave është ngritja e një qendër pritjeje për vizitorët. Po në janar të këtij viti qeveria shqiptare mori një tjetër vendim duke reduktuar sipërfaqen e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit nga 9.424,2 hektar në 8.622,2 hektar. Pra, një sipërfaqe prej rreth 800 hektar nga Manastiri, Gjiri i Hartës dhe deri në kufirin jugor tek Gjiri i Pemës së Thatë, nuk përfshihet më në statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur rrugën investimeve turistike, por që ka shkatuar shumë debate në Kuvend.

Fondacioni për menaxhimin e Butrintit krijohet në partneritet me Fondacionin jo shtetëror Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe do të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Riçard Hoxhes. Kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.

a.m/dita