Covid-19 nxit goditjet në tru dhe infarktin e zemrës. Studimet më të fundit në botë nga mjekët neurologë tregojnë se është rritur numri i aksidenteve cerebrale te pacientët me koronavirus dhe post covid, madje edhe tek ata persona me moshë të re që nuk kanë patur sëmundje të tjera. Mjekja neurologe Entela Basha thotë se koronavirusi ka shkaktuar komplikacione të rënda të trurit duke rritur humbjet e jetës.
“Pacientët që kanë bërë aksidente vaskulare cerebrale nën Covid apo post-Covid kanë patur forma të rënda. Mortaliteti në hemorragjitë cerebrale ka shkuar në 50% të rasteve. Është vënë re se një pjesë e këtyre pacientëve nuk kishin faktor risku, pra nuk vuanin nga sëmundje të tjera më parë. Covidi është një sëmundje që nxit infarktet e trurit, të zemrës dhe te organeve të tjera”.
Aksidentet vaskulare cerebrale apo goditjet ne tru janë shkaku i parë i invaliditetit në botë dhe shkaku i dytë për numrin e lartë të vdekjeve. Gjatë një konferencë të organizuar nga shërbimi i neurovaskular në QSUT, mjekët këshillojnë qytetarët t’i drejtohen urgjencës sapo t’u shfaqen shqetësimet e para.
“Duke filluar nga shenjat më të lehta, dhimbje koke, marrje mendsh, vështirësi në të folur deri tek ato më të evidentueshme, paralizat, pamundësia për ruajtur ekuilibrin, pamundësia për t’u gëlltitur dhe pamundësia për të parë. Nëse keni ankesa që lidhen më trurin duhet të shkosh sa më parë në spital”. Vite më parë goditjet në tru kanë qenë sëmundjet e moshës së tretë. Tashmë, veçanërisht pas pandemisë aksidentet vaskulare cerebrale po prekin moshat e reja, 40-50-vjeçarët.
o.j/dita