Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Deputeti i Parlamentit Europian: Mali i Zi, ndër kandidatët kryesor për t’u anëtarësuar në BE

Deputeti i Parlamentit Europian dhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të BE-së, David McAllister përshëndeti vendosmërinë e vazhdueshme të Malit të Zi siç tha ai për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian, si dhe përputhshmërinë e tij me sigurinë dhe politikën e jashtme të BE-së, duke theksuar se Mali i Zi është ndër kandidatët kryesorë për anëtarësim.

“Të gjithë kapitujt i keni të hapur dhe tani duhet të mbyllen”, theksoi McAllister, duke vënë në dukje se Mali i Zi ka mbështetjen e Parlamentit Evropian përmes asistencës teknike dhe financiare.

Këto komente, zoti Mcallister i bëri të enjten, gjatë hapjes së “Shtëpisë Europiane” në Podgoricë, ku morën pjesë ambasadorja e Bashkimit Europian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa dhe ministrja e Çështjeve Evropiane, Jovana Maroviq.

Në këtë kuadër zoti McAllister theksoi rëndësinë e “Shtëpisë Europiane”, e cila do të jetë pikë takimi dhe vendi për shkëmbim idesh dhe debati.

“Mali i Zi i përket Bashkimit Evropian dhe ne mezi presim që së shpejti të bëhet pjesë e shtëpisë së përbashkët Europiane ,” tha zoti McAllister.

“BE është ndërtuar për dekada mbi hirin e një lufte të tmerrshme. BE-ja nuk është e plotë, ajo është gjithmonë e hapur për të ndërtuar dhe zhvilluar ndaj vendeve që ndajnë vlerat tona. Ne jemi duke u ribashkuar në diversitet,” theksoi ai.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të BE-së, David McAllister komentoi edhe arrestimet e fundit në Mal të Zi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Duhen institucione të forta dhe të pavarura për të luftuar korrupsionin dhe krimin. Edhe qeveria edhe parlamenti duhet të merren me rrugën drejt BE-së”, tha McAllister, duke iu referuar faktit se qeveria aktuale e pakicës nuk e ka shumicën parlamentare që i nevojitet për emërimet kyçe në gjyqësor.

“Shpresoj që qeveria ta marrë atë shumicë,” tha zoti McAllister.

Ai gjithashtu vuri në dukje se Mali i Zi duhet të përmbushë kriteret në gjyqësor dhe politikë.

“Presim që së shpejti të emërohen anëtarët e Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor, si dhe kryeprokurori special”, theksoi ai.

Zoti McAllister, bëri të ditur se është miratuar një projekt-raport për Malin e Zi në maj dhe Parlamenti Europian pritet ta miratojë në qershor.

Ai dhe katër deputetë të tjerë europianë ishin për vizitë në Malin e Zi që nga dita e martë dhe u takuan me zyrtarë shtetërore dhe me përfaqësuesë të shoqërisë civile.

Mali i Zi ka arritur një angazhim të theksuar drejtë integrimeve në BE. Por një ngecje e dukshme u shënua gjatë qeverisë se kryeministrit Zdravko Krivokapiq, i cili në gusht të vitit 2020 i fitoi zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi.

Ndërkohë Qeveria e Pakicës e kryeministrit Dritan Abazoviq, e cila u formua në prill të këtij viti, vlerësohet për përpjekje që të zhbllokoi situatën e krijuar.

Në këtë vazhdë shihen edhe arrestimet e kryetarit të Gjykatës Ekonomike, Blazho Jovaniq dhe të ish-kryetares së Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Vesna Medenica. /VOA

a.m/dita