Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

DËSHMIA: “U vesha si polic, më ngeci edhe pistoleta”, si e vrau Dumani vëllain e Talo Çelës, që punonte si taksist

Detaje të reja, rrëqethëse, të denja për skenat më të ethshme të filmave mafiozë, vijojnë të dalin në dritë nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, ku rivalitet i tij me ish-mikun, Talo Çela, është pjesa më intriguese e gjithë zhvillimeve të botës së krimit në Elbasan.

Data shënonte 17 shtator 2020

Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës, i cili punonte si taksist, kishte dalë për të pirë kafenë e mëngjesit si zakonisht, në lokalin që e frekuentonte rregullisht.

Vetëm dy ditë më parë, Klevis Kapllani, një emër i njohur në botën e krimit në Shqipëri dhe mik i Nuredin Dumanit, ishte vrarë në Rrogozhinë.

Dyshimet e Dumanit kishin rënë tek ish-miku i tij, Talo Çela dhe tek një prej vëllezërve Manhasa. Edhe këta të fundit, të njohur për botën e krimit në Elbasan.

Pikërisht këto dyshime, e shtynë Dumanin të merrte një akt ekstrem, si hakmarrje ndaj Talos, mbi të cilin Dumani pretendonte se “kishte thyer besimin mes të dyve”.

“Për të vrarë Bujarin, unë u organizova me Enver Divën dhe Besmir Xhixhën”, shpjegon në dëshmi Dumani. “Gjatë kësaj kohe fola me Erjon Alibej edhe i thashë që do të ndërroja objektiv. Nuk do t’i bëja atentat Dine Çamit, por do të organizoja vrasjen e vëllait të Talo Çelës, për të marrë hakun e shokun tim”.

Për këtë, Enverit dhe Besmirit, Dumani do t’u jepte në total një shumë prej 60 mijë eurosh.

Plani fillestar ishte ai i vrasjes së Bujar Çelës sapo të dilte nga shtëpia, më 16 shtator. Por, gjithçka dështoi, pasi grupi i Dumanit u pikas prej një personi tjetër, që në orën 04:00 të mëngjesit.

“Unë së bashku me çunat i shkova para shtëpisë dhe po prisja që të hapej dera e banesës për të dalë jashtë Bujari”, vijon rrëfimin i penduari i drejtësisë. “Duke qëndruar në pritje pas meje vjen një person të cilin nuk e njihja dhe e pyes kush ishte. Më tha që jam i shtëpisë këtu. Unë isha veshur me jelek antiplumb dhe i them personit jam i Policisë”.

Pikërisht në këtë çast, ai i ka bërë thirrje grupit të largohen, duke iu drejtuar po si polic atyre.

Mirëpo, hakmarrja nuk do të vononte shumë.

Vetëm një ditë më pas, Dumani shkoi aty ku Bujari pinte zakonisht kafenë e mëngjesit e më pas niste ditën me punën e tij si taksist.

Bujari ishte një person i papërfshirë në botën e krimit dhe nuk ruhej asnjëherë nga atentate të mundshme.

Këtë gjë e shfrytëzoi Dumani në atentatin e suksesshëm ndaj Bujar Çelës.

Makinën ai e ndali pranë lokalit ku vëllai i Talos pinte kafenë. Dyshja tjetër, ishte me një automjet dhe po priste sinjalizimin e Nuredin Dumanit.

Me të zbritur ky i fundit nga mjeti, Enveri del po ashtu nga mjeti dhe niset drejt Bujar Çelës për ta qëlluar.

Personat, të cilët e shoqëronin Bujarin në tavolinë, janë çuar menjëherë dhe janë larguar.

Në atë çast, Enveri e ka qëlluar Çelën rreth 20 herë me një armë të llojit Scorpions 7.65.

Dumani shkoi po ashtu për ta qëlluar, por pistoleta i ngeci.

Pavarësisht goditjeve të shumta, Bujari ishte ende në jetë dhe sipas rrëfimit, Dumani e donte pa diskutim të vdekur atë.

Kështu, ai thirri Besmir Xhixhën, i cili i priste në makinë, dhe i thotë të sjellë armën tjetër.

Dumani me të mbërritur Xhixha, e urdhëron ta qëllojë në kokë Çelën dhe Besmiri kështu vepron, duke i thënë goditjen përfundimtare Bujarit.

Pikërisht kjo ngjarje, ishte ajo që nxiti edhe më tej rivalitetin mes Dumanit dhe Talo Çelës, fati i të cilit ende nuk dihet, pasi prej kohësh është i palokalizueshëm.

Vetë atentati ndaj Dumanit në Elbasan, dyshohet se mund të jetë kryer nga Talo Çela, por asgjë nuk është e sigurt deri tani.

Teksa, detaje të reja nga dosja famëkeqe e rrëfimit të Dumanit, e njohur si “Golden Bullet” vijojnë të dalin në shesh dhe të tregojnë një fytyrë të frikshme mafioze në Elbasan e më gjerë.

j.l./ dita