TIRANË, 7 shkurt/ATSH – I. Vata/ Zëvendëskryetarja e Kuvendit, deputetja e PS-së, Ermonela Felaj informoi sot se dy deputetë të Partisë Demokratike rezultojnë se kanë firmosur kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen McGonigal, ndërsa ndodheshin jashtë vendit.

Felaj e cilësoi një veprim të tillë degradues.

“A ka sjellje më degraduese për Parlamentin dhe për të ashtuquajturën opozitë, sesa të falsifikojë nënshkrimet e deputetëve të vet në dokumente të cilat i drejtohen Kuvendit? Kaq hapur bëhet kjo, saqë edhe kur deputetët janë jashtë vendit, p.sh Belind Këlliçi e Oerd Bylykbashi, figurojnë sikur të kenë qenë këtu e të kenë firmosur”, u shpreh Felaj ndërsa publikoi edhe dokumentet me firma.

“Lehtësisht i dukshëm e i verifikueshëm manipulimi në letra, për të plotësuar kriterin numerik që disa kërkesa të vihen në lëvizje nga Kuvendi. E përsëritur në fakt. Dhe këtë herë është koha që falsifikatori ose falsifikatorja të zbulohet. Ekspertimi grafik e konfirmon këtë. Dhe jo vetëm kaq, por dhe të sanksionohet si çdo qytetar tjetër në Republikës së Shqipërisë për krimin e falsifikimit të dokumenteve të parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal! Stop falsifikatorëve dhe gënjeshtarëve që betohen për shtet, për parlamentarizëm, për opozitë, por nuk bëjnë dot as më shumë dhe as më pak sesa çdo kundërvajtës i rëndomtë i ligjit penal”, tha Felaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.