TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ – Një foshnje e porsalindur është shpëtuar nga rrënojat e banesës së saj, në veri të Sirisë pas tërmetit shkatërrues të së hënës, shkruan CNN.

“Kordoni i kërthizës së foshnjes ishte ende i lidhur me nënën e saj”, tha një i afërm për agjencinë franceze të lajmeve AFP- Agence France-Presse.

Nëna e saj besohet se ka vdekur pas lindjes.

“Ne dëgjuam një zë ndërsa po gërmonim”, tha i afërmi i saj Khalil al-Suwadi.

“Ne pastruam vendin dhe gjetëm foshnjën me kordonin e kërthizës të paprekur, kështu që e premë dhe kushëriri im e çoi në spital”, tha ai.

“Foshnja është e vetmja e mbijetuar në familje”, sipas Suwadi.

Familja e saj jetonte në një pallat pesëkatësh që u shkatërrua nga tërmeti.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.