Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Gara qesharake e rikthimit te hiçi dhe xhaketa e stërvjetër e Saliut që i rri kaq prapsht opozitës

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

Këtë të dielë maji të vitit 2022, Sali Berisha u rikthye edhe një herë 30 vite pas, duke u vetëzgjedhur “kryetar i Partisë Demokratike”, megjithëse pritet ende një vendim gjykate për vulat e saj. Po ç’rëndësi ka.

30 vite më parë kjo parti ishte ende për disa një shpresë, sot është një dështim; këtë herë jo vetëm i Saliut, si njeri privat apo si politikan i shpallur non grata familjarisht, çka ka ndodhur pak herë (asnjëherë në trevat ballkanike), por më shumë për vetë opozitën.

Duke firmosur rikthimin e Berishës në kreun e saj, përmes garës qesharake, opozita në fakt riktheu konceptin e drejtimit të deformuar, jo vetëm autokrat, por, mjerisht, në përmasa të rënda dhe të pamenduara në kahun tjetër të lëvizjeve të saj pro perëndimore, si mund të mendohej 30 vite më parë.

Berisha është njëra nga xhaketat e vjetra të politikës, të deformuara, të ngrëna nga koha dhe të provuara në të gjitha rolet dhe pozicionet. Ai bën pjesë në atë aradhë që duhej të ishte larguar prej kohësh , jo thjeshtë për moshën, pasi në politikën moderne mosha nuk është më alibia e tërheqjes, por për vetë jetën e bërë, detajet e së cilës janë të rënda , ndërsa brendia është e llahtarshme.

Është e pakuptueshme se si një brez i tërë, pjesë e lëvizjeve opozitare, të cilët u bënë pjesë e saj në vitet e fundit, mund të synojnë të jenë të denjë për veten e tyre, e pastaj për kombin, duke pasur shembëlltyrë dhe dejtues njeriun që, pasi vrau shpresën njerëzore, në vitin 1997, tani, krejt befas u premton risjelljen e saj pas 25 viteve.

Berisha në riardhjen e tij kishte një fat të veçantë, që e drejtoi sërish drejt pushtetit partiak. Njeriu i emëruar nga vetë ai si vazhdues, si djali politik, nuk ishte vetëm biri plangprishës, që mori guximin dhe vendosi përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar, por, në të gjithë rrugën 9 vjeçare të drejtimit, ai do të ishte lideri më i squllët, pa peshë dhe mendim, asnjëherë vizionar; kurdoherë përfitues, që shkaktoi hemoragjinë e madhe politike të opozitës, dhe pas 9 viteve humbje dhe dezertim, marrëveshje të fshehta dhe humbje të besimit, duhej larguar.

Kjo është ajo që po ndodh, por ndërrimi i tyre nuk do të ndryshojë përfundimin e asaj që dihet: SHBA dhe BE nuk do të duan edhe më tej të kenë partner politik njeriun që nuk duhet, që nuk do të ishte dashur prej kohësh dhe që nuk do të duhet as në të ardhmen.
Natyrisht, një parti politike, në një çast të vegjetimit të saj, mund të synojë të gjejë rrugën e ringritjes përmes një figure të re politike dhe kjo do të ishte normale.

Por, megjithëse duket se ka një ringritje të frymës opozitare, a është normale kjo që po ndodh aktualisht, a mund të jetë Berisha dhe një grusht njerëzish rreth tij, ata që do të mund të bëjnë katarsin e domosdoshëm politik, të krijojnë rrymën e re politke në Shqipëri dhe riformatimin e opozitës?
Nuk është e vështirë, kjo është thjesht e pamundur!

Nga shënimi im përjashtoj ata idhtarë të Berishës që, për shkak të loajalitetit përkrahin një kauzë që edhe vetë ata e dinë se nuk është e drejtë. Që nga zhvillimi i politikës në dy sajet e saj, njerëz të tillë, nganjëherë edhe burra shteti, janë njohur si të tillë apo për qëndrime të tilla.

Shënimi im ka të bëjë me një trupë politike që ndjek pas Berishën dhe përfitojnë ngutshëm nga situata e tanishme e tij. Përgjithsisht të frymëzuar nga idea e tregtisë dhe përfitimit, privilegjeve që kishin pasur, janë të gatshëm të shesin çfarë të mundin, deri nderin, të vërtetën, ndërgjegjen. Ata as nuk mund ta imagjinojnë veten jashtë gardhit të Berishës, asnjë çast të vetëm, e jo të rebelohen apo të mendojnë ndryshe nga vetë ai.

Largimi i Berishës nga Grupi Parlamentar në shtatorin e vitit të kaluar nxorri në pah një dukuri që dihej se do të ndodhte një ditë dhe që u ndalua përkohësisht. Mllefi ndaj rrugës dhe bëmave të tij nga vetë njerëzit e elitës drejtuese të opozitës. Në pak kohë, të gjitha akuzat që ishin bërë me kohë nga publiku u bënë nga rrethi drejtues pranë Bashës dhe nga vetë ai.

Që nga vrasjet e 21 janarit, që u deleguan në zyrën kryeministrore, shpërthimi në Gërdec dhe të vrarët, që i lidhën me aferat e dyshimta të familjes së tij, grusht shtetin e shtatorit të vitit 1998, linçimin e drejtuesve kundërshtarë të opozitës, mashtrimet korruptive – të gjitha u bënë pjesë e leksikut të Bardhit, Bashës, Alibeajt, Dumës, Salianjit, Xhaferit, Gjekmarkajt, dhe, nëse nuk do të kishte filluar kundërlëvizja “Foltore”, ky do të ishte lejtmotivi deri në fund i opozitës.

Ndryshimi i raporteve nuk ka sjellë ndryshimin e mendimit, por ka rritur frymën e oportunizmit dhe të frikës. Sa më shumë që ecte Foltorja, aq më shumë tkurreshin zërat, por nuk lindnin ide të reja dhe as nuk kishte guximin për të risjellë mendime të ndryshme.

Ky grup mendonte se Berisha do të mundej shpejt, pasi , duke pasur pas vetes dy faktorë të rëndësishëm, njëri i përhershëm, mbështetja nga Departamenti i Shtetit, dhe tjetri i përkohshëm, ata ishin me vula dhe zyra në drejtimin e opozitës, çdo gjë e shikuan lehtësisht dhe kalimtare. Në fakt, ata vetë e kishin përgatitur fundin e kësaj lëvizje, edhe ajo përfituese dhe e shantazhuar për shkak të lidhjeve të saj të mëhershme. Ato nuk ishin elita e re, ato ishin pjesë e elitës së vjetër që mendoi se erdhi koha e tyre.

Në fakt, ata ishin hibridi i berishizmit dhe PD mendoi ditën e djeshme se origjinali është më i mirë dhe më i pranueshëm se sa hibridi.

Të dy palët janë të gabuar.

Berisha, në të gjitha jetën e tij politike, ka dëshmuar se nuk është sqimëtar, por i mbetet ndjenja e hakmarrjes. Atë që nuk e harron, ai nuk e fal kurrë. Dhe ka njëkujtesë të mrekullueshme.
Aq e madhe është sot mëria e shpalljes së tij non grata nga DASH saqë do të kishte pranuar të mbetej edhe një gjysmë partie, por ajo të ketë frymën e tij; ai do të pranonte çdo disfatë të brendshme, për të pasur një fitore të jashtme.

Por, ndërsa ka një fitore të pjesshme të brendshme, ai ka një humbje të vazhdueshme të jashtme. Izolimi i tij do të sjellë largimin e PD-së nga strukturat perëndimore dhe kjo nuk do të jetë as e papritur dhe as e çuditshme. Nëse një pjesë vazhdojnë të mendojnë se riardhja e Berishës në kreun e opozitës do të zbusë qëndrimin perëndimor ndaj tij, kjo do të mbetet vetëm një iluzion kalimtar.

E, po ashtu, nëse ende besohet se përmes karizmës alla-Berishë mund të rivijë opozita në pushtet, ndoshta është koha e fundit të besohet se është e pamundur që fajet e gabimet e një popullit të ripërsëriten, aq më tepër kur, vigjëlimi ndërkombëtar do të jetë edhe më i pranishëm në çastet vendimtare.

Ata që përgatitën dosjet e para të Berishës vështirë se gjenden vetëm në zyrat kryeministrore, më të shumtët ishin në zyrat e opozitës, që e kishin mbi vete barrën berishiste, që e donin atë, por pa vetë Berishën.

Berisha i sotëm nuk kërkon më as paqe, nuk ka përballë vetes si dikur “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”, nuk do as arsye, as lumturi dhe as mendim; ai kërkon listën e fitoreve të tij, që më shumë kanë të bëjnë me luftën e shpallur tashmë ndaj Departamentit Amerikan të Shtetit, se sa kundër Edi Ramës.

Nëse Rama, në logjikën e pushtetit të tij ka autokracinë, Berisha është vetë autokracia.

Logjika e sotme politike e Berishës nuk ka ndryshim nga mentaliteti i djeshëm politik: ne dhe armiqtë. Ai e ka shpallur prej kohe devizën e tij politike. Ngazëllimi i rizgjedhjes do të jetë fatal për vetë opozitën, që, duhet të mendojë se nuk përfaqëson vetem veten e saj, pra të atyre që votojnë apo kanë votuar në emërin e tyre, por edhe të asaj pjesë të popullsisë që në prillin e vitit të kaluar besuan drejt tyre.

Në politikën e tij si drejtues, ai, Berisha, u ka dhënë më tepër rëndësi të drejtave abstrakte, se sa realiteteve konkrete, dhe kjo është e pranishme edhe sot e kësaj dite. Dobësia e tij është garancia e drejtësisë së tij relative.

I riardhur në zyrat drejtuese të opozitës përmes vendimit të një gjyqtari mik , ai ende nuk e ka zhveshur xhaketën e vjetër politike të mendësisë së tij, dhe, duke dashur të ia veshë këtë si një mantel opozitës së sotme, në fakt, jo larg, do e ndjejë se nuk ishte rikthimi i opozitës, por raskapitja e saj.

E përfytyroj qeshjen dinake të Edi Ramës…