Pandemia e koronavirusit i ka mbushur edhe më shumë llogaritë e të pasurve. Rreth 573 persona i janë bashkuar listës së miliarderëve të botës që prej vitit 2020, sipas shifrave të publikuara të dielën nga Oxfam. Praktikisht, gjatë pandemisë, botës iu shtua një miliarder çdo 30 orë.
Raporti, i cili u përpilua nga të dhënat e Forbes, analizon rritjen e pabarazisë në dy vitet e fundit dhe publikohet gjatë organizimit të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku mblidhen njerëzit më të pasur dhe liderët e globit.
Pasuria e miliarderëve është rritur në total me 3,8 trilionë dollarë gjatë këtyre dy viteve, ose me 42%, duke arritur një vlerë totale prej 12,7 trilionë. Një pjesë e madhe e këtij fitimi i atribuohet rritjes së vlerës së aksioneve të bursave, falë edhe injektimit të parave nga qeveritë e shteteve të ndryshme, për të zbutur goditjen e dhënë nga pandemia.
Pjesa më e madhe e fitimit është realizuar gjatë vitit të parë të pandemisë, ndërsa ritmi tani duket se është ulur.
Sipas raportit, në të njëjtën periudhë, për shkak të Covid-19, 263 milionë persona kanë përfunduar në varfëri ekstreme, duke zhbërë një progres për të cilin janë dashur dekada për t’u arritur.
Oxfam thotë se miliarderët në fushën e agrobiznesit kanë realizuar shtimin më të madh të pasurisë, me 382 miliardë dollarë, ose 45%. Që nga viti 2020 u krijuan rreth 62 miliarderë të rinj nga kjo fushë. Ndërsa pasuria e miliarderëve në industrinë hidrokarbure u rrit me 53 miliardë dollarë, ose 24%.
40 miliarderë të rinj u krijuan gjatë pandemisë në industrinë farmaceutike, e cila ka luajtur edhe një rol kryesor në luftën kundër Covid-19, duke përfituar ndërkohë edhe miliarda nga shpenzimet publike.
Miliarderët në sektorin e teknologjisë e shtuan pasurinë e tyre me 436 miliardë dollarë gjatë dy viteve të fundit. Jo më kot 7 nga 10 njerëzit më të pasur të botës janë nga kjo industri.
o.j/dita