Në kuadrin e aktiviteteve kulturore të “Javës së Amerikës”, u promovua ribotimi i librit “Here and there”, shkruar në gjuhën angleze nga Elona G. Kola.
Kola vjen me këtë libër të suksesshëm në kategorinë e eseve dhe opinioneve, i cili shkon përtej kornizës se biografisë dhe historive personale të jetës së saj, në Shqipëri dhe Amerikë.
“Kam pasur fatin dhe mundësinë të shohë nga afër e të përjetojë eksperiencat, lidhjet e drejtpërdrejta për të kuptuar mendësinë e jetës së përditshme amerikane”, u shpreh autorja.
Me një rrëfim elegant, stil të ri e të veçantë ajo na përcjell vëzhgime për elementet sociale dhe kulturore, analiza krahasuese të ilustruara gjithashtu me simbole, figura historike dhe sugjerime për filma.
Elona G. Kola e ka ndarë kohën e saj mes dy vendeve, Shqipërisë dhe SHBA-ve. Ajo ka treguar një interes të lartë si një shkrimtare e pavarur dhe kërkuese për temat socio-kulturore dhe antropologjike. Kola ka publikuar artikuj mbi temat sociale dhe ekonomike, në revista “lifestyle” dhe biznesi, si edhe ka një eksperiencë të gjatë si përkthyese, konsulente gjuhësore dhe redaktuese, në të dyja gjuhët.
Ka kryer edhe detyra të ndryshme në lidhje me çështje shoqërore e arsimore, për departamentin e shtetit Amerikan dhe qeverinë shqiptare.
Edukimi i saj është në Financë dhe Ekonomi dhe gjatë dekadës së fundit ajo ka dhënë leksione e seminare për studentët pasuniversitarë në tema që kanë të bëjnë me financën e kontabilitetin, burimet njerëzore, menaxhmin dhe “leadership”.
“Here and There”, është libri i saj i parë.