Nga Ing. Luan Pogaçi
(Vijon nga numri i kaluar)
Të nesërmen, data 18 dhjetor, unë u nisa për në punë në ora 6.45 ( në ora 7 fillonim punën) dhe rrugës për në drejtori, në kalim e sipër, kthehem te godina e grupit të shoqërimit të Mehmet Shehut. Siç kam thënë më lart unë kisha shoqëri me ta, por vajta për të takuar radistin e tij për probleme pune. Shikoj që të gjithë qenë të mbledhur dhe rrinin ne heshtje (ata në të kundërt qenë zhurmëmëdhenj e me humor) nuk komunikonin fare. Dukej që lart se kishin një hall të madh. Por çfarë? Ata kishin marrë vesh vdekjen e shefit të tyre dhe po mendonin si duket hallin e tyre të mëtejshëm. Njëri prej tyre më thotë “Shefi ka vrarë veten”. Unë u habita dhe nuk dija se çfarë të thosha.
Ika shpejt në drejtori dhe takoj Zv.ministrin Xhule Çiraku (ai vinte zakonisht herët në punë) i them për ngjarjen. Ai po ashtu u habit dhe u nis për në Ministri (Drejtoria jonë ishte jashtë Ministrisë, në një vilë afër Kryeministrisë, ngjitur me shtëpinë e Ministrit Kadri Hazbiu). Ne e dinim që atë ditë në ora 9 ishte lënë vazhdimi i mbledhjes së Byrosë Politike.
Në sallën e mbledhjeve të Komitetit Qendror hyri Enver Hoxha, gjithë të tjerët ishin në pritje. Mehmet Shehu s’po dukej askund. Nuk dinin gjë për ngjarjen. Enver hoxha pyet: “Ju e keni marrë vesh që Mehmet Shehu ka vrarë veten”. Ata mohuan, edhe ndonjëri që e dinte nuk foli. Zyrtarisht ngjarjen e dinte deri në atë moment vetëm Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Kadri Hazbiu si dhe ne disa prej shërbimeve të Drejtorisë së Dytë. Kadri Hazbiu e kishte marrë vesh i pari dhe vajti në vilën e Mehmetit dhe ai kishte lajmëruar Ramiz Alinë dhe ky Enver Hoxhën (sipas thënies së tyre, të cilat janë botuar më vonë.)
Mehmet Shehu kishte lënë një zarf me një letër. Mbi zarf shkruhej: “Tepër sekret. Ta hapë vetëm shoku Enver dhe kurrkush tjetër”.
Ja si kanë rrjedhur ngjarjet në vazhdim.
Enveri ia jep zarfin Ramiz Alisë, ky e hapi dhe lexoi letrën në mbledhjen e Byrosë Politike. Letra kaloi dorë më dorë tek anëtarët e Byrosë Politike dhe të gjithë njohën shkrimin e Mehmet Shehut. Gjatë kësaj kohe Enver Hoxha dukej shumë i hidhëruar dhe i shqetësuar e përsëriste me vete disa herë rrjesht “Si ore, ia hoqi vetes? Pse e bëri atë? (sipas Anëtarit të Byrosë Politike, Muho Asllani).
Edhe vetë Nexhmije Hoxha e pohon se Enveri e vuajti shumë vdekjen e Mehmetit. Ata qenë shokë e miq, e mbanin dhe mbronin njeri-tjetrin. Enveri e kuptoi se tashmë radha e vdekjes do të qe e tij dhe s’kishte kush ta mbronte nga ata që çuan Mehmetin në vetëvrasje. Mbas katër vjetësh vdiq dhe ai nga implikime të diabetit dhe sëmundje të tjera shoqëruese, sikurse e kanë sqaruar shumë mirë mjekët e tij më të besuar. Çuditërisht ai s’pati vullnet për përballjen me shëndetin e tij. Ai e la atë totalisht në dorë të të tjerëve, të mjekëve në radhë të parë që i shërbyen me besnikëri dhe të afrmve të tij më të besuar. Ka nga ata që mendojnë ende se ata nuk dinin apo nuk donin që ai të jetonte. Mehmeti iku duke krijuar një boshllëk të pazëvendësueshëm në udhëheqjen më të lartë të partisë dhe të shtetit. Ndaj qe i sinqertë në atë që thoshte edhe në letrën testament të tij.
Në biseda me njeri-tjetrin të gjithë anëtarët e Byrosë ishin dakord me propozimin që kishte bërë Simon Stefani që t’i jepnin Mehmetit një vërejtje të rëndë partie. Jo më shumë. Me siguri edhe Enver Hoxha ishte i këtij mendimi. Nuk e dimë se deri ku shkon sinqeriteti i këtij pohimi. Mbledhja e Byrosë Politike e 17 dhjetorit 1981, ngre shumë dyshime…
Pse e them këtë? Sepse ata që thurën rrjetën dhe çuan në vetëvrasje Kryeministrin, nuk u kënaqën me kaq.
Nga mendimi i parë për masën që do i jepej Mehmetit, gjithçka u përmbys ditën e dytë, dhe ai ndryshoi me 180 gradë. Me leximin e diskutimit të përgatitur nga Hekuran Isai, i cili vajti me vonesë në mbledhje pasi një ditë më parë kishte patur varrimin e nënës, ndryshoi krejt vendimi i mëparshëm për masën e dënimit, si dhe hodhi poshtë kërkesën e bërë nga Mehmeti në letrën e tij që ngjarja të konsiderohej aksident si dhe linte porosi për familjen dhe fëmijët.
Hekurani pasi e lexoi diskutimin e tij tha: “Ne shoku Enver në statut vetëvrasjen e kemi cilësuar tradhti ndaj atdheut, ndaj partisë dhe ndaj popullit”. Mbas tij foli Kadri Hazbiu i cili ra dakord me Hekuranin (mbase me sa duket ishin sinkronizuar më parë) dhe kështu u fiksua dhe u vazhdua më tej me veprime e propozime të tjera represive.
Mehmet u shpal armik i partisë dhe i popullit dhe dihen masat që u morën më pas kundër familjes së tij dhe lumi i akuzave që u derdhën kundër Kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë dhe krahut të djathtë të Enver Hoxhës për rreth 40 vjet me radhë…
***
Në librin e tij, ish Drejtori Zbulimit të Jashtëm Z. Perlat Çaushi “Kush e vrau Mehmet Shehun” shkruar me një stil interesant, jep një paraqitje të hollësishme të akuzave që iu bënë Mehmet Shehut si gjoja agjent i disa zbulimeve të huaja dhe për këtë fajëson Enver Hoxhën duke hedhur shumë baltë dhe vrer për punën dhe veprimtarinë e Udhëheqësit. Përsëri është i çuditshëm ky fakt, pasi Enver Hoxha kur firmosi emërimin e tij si Drejtor i Zbulimit të Jashtëm theksoi: “ kam kënaqësinë që të firmos një emërim të një personi të tillë të aftë e të kulturuar”.
Enver Hoxha i dinte gjithë informacionet e ardhura gjatë viteve, për të gjitha ato akuza që hidheshin për Mehmet Shehun, por nuk u influencua asnjëherë sepse e kuptonte që këto ishin gënjeshtra të mbledhura nga ambasadat apo zbulimi ynë i jashtëm e qenë të mbështetura mbi thashethemet apo materiale të futura nga shërbimet e huaja, në funksion të asaj qe CIA Amerikane, pas dështimit të përmbysjes së regjimit me grupe diversioniste, kishte kaluar në metodën e “Operacionit Plasaritja” që presupozonte përplasjen e figurave kryesore politike e shtetërore me njeri-tjetrin (sipas materialeve të deklasifikuara të CIA-s)
Letra që kishte ardhur së fundi i ndryshoi gjithë balancat.
Në një nga kapitujt e fundit “Ushingtoni shtrin një dorë” të librit për Mehmet Shehun, Z. Caushi tregon për një letër të dërguar në vitin 1981, ishte akt marrëveshje ( ardhur në kohën kur Mehmet Shehu qe në krizën e përshkruar më lartë) ku në krye të kësaj letre ishin emrat e Kryeministrit shqiptar dhe një titullari të lartë të Shteteve të Bashkuara. Dokumenti përbëhej nga disa faqe ku kërkohej bashkëpunim…
Ky dokument nuk erdhi sipas kanaleve zyrtare, por nëpërmjet kanaleve të shërbimeve të fshehta të dy vendeve. Ky dokument ishte paraqitur zbulimit tonë të jashtëm nga një agjent i dyfishtë me origjinë shqiptare me banim në Amerikë.
Më poshtë autori i librit shpjegon me hollësi çfarë është një agjent i dyfishtë. Ai u shërben me informacione në favor të dy apo disa shteteve. Çuditërisht agjenti që pruri letrën për Kryeministrin theksoi se megjithëse se qe agjent i CIA-s ai i shërbente zbulimit shqiptar. E çuditshme është se çfarë interesi kishte nga Shqipëria nga ky informacion? Apo kishte ndonjë motiv patriotik? Kur u pyet se a e di CIA këtë gjë, ai u përgjigj: po. Zakonisht një agjent i dyfishtë mund të jetë dhe i trefishtë, pra ky zotëria mund të qe dhe agjent i UDB-se Jugosllave qe kishte më shumë interes të diskreditonte Kryeministrin tonë. Në këtë kohë UDB-ja qe hedhur në sulm kundra shqiptarëve, pasi në Kosovë ishin ngritur studentët në revoltë, ishte vrarë Jusuf Gërvalla, një militant i shquar i lëvizjes për çlirimin e Kosovës.
Makiaveli në librin e tij ”Këshilla Princit” shkruan: “Një person që tradhton një herë, tradhton gjithmonë” E kjo vlen për të gjitha krahët.
Zakonisht agjentët e dyfishtë apo të shumëfishtë thuajse gjithmonë lidhen me agjentë të po kësaj kategorie për të shkëmbyer informacione që tashmë i shërben më shumë karrierës së tyre se sa shtetit përkatës.
Kjo letër çuditërisht nuk përfundoi në dorë të kryeministrit shqiptar të cilit i adresohej,( nuk ka asnjë shënim ne të) por në dorë të Hekuran Isait? Dhe u keqpërdor pas vdekjes së Mehmet Shehut, siç e shkruajta me lart.
Dhe ky fakt ngre shumë dyshime dhe shton pikëpyetje pa fund për fundin e Mehmet Shehut. Kush ishte i interesuar për eliminimin e Kryeministrit?
Unë kam një arsyetim timin se pse ndodhi kështu, pasi kam më shumë se dyzet vjet që e bluaj në mendjen time dhe pasi jam njohur edhe më shumë fakte të tjera që nuk i kam ditur në atë kohë.
***
Grupi që zbatoi projektin për eliminimin e Kryeministrit, të hartuar prej tyre apo në bashkëpunim me zbulimet e huaja, nuk ishte i kënaqur vetëm me vetëvrasjen e Kryeministrit, por donin që atë ta shuanin fare duke i vrarë edhe hijen, influencën e tij në Shqipëri, e cila qe e madhe, dhe të krijohej një përçarje e madhe në popull, e gjitha sipas interesave të zbulimeve të huaja e në veçanti UDB-së Jugosllave.
Kështu, mendoj, që Enver Hoxhës iu paraqit e gatshme (në një kohë të shkurtër) e ashtuquajtura “Tablo sinoptike” e parapërgatitur, mendoj, nga Ramiz Alia, Hekuran Isai dhe Kadri Hazbiu.
Sidoqoftë, unë asnjëherë nuk i kam besuar ato që u thanë kundër Mehmet Shehut pas vdekjes së tij. Pa le më ca pallavra me shpifje ordinere që janë botur në këto vitet e fundit.
***
Rreth orës 10të 18 dhjetorit, të asaj dite na njoftojnë për një mbledhje në Ministrinë e Brendshme me te gjithë oficerët. Shkuam dhe ne megjithëse e dinim lajmin që do jepej. Vjen ministri Kadri Hazbiu. Shkon direkt te foltorja dhe jep lajmin. “Mehmet Shehu ka vrarë veten. Pse na e bëri këtë? Nuk pati besim te shokët, nuk pati besim te Partia, ne vetëm një vërejtje do t’i jepnim… etj., etj” Gjithsej 1 minutë, dhe u largua. Oficerët shumë të habitur, të ligështuar dhe duke zhurmuar e pa komentuar me njeri – tjetrin u larguan. Ishin momente të frikshme ato, pasi të gjithë i dinin pasojat që i prisnin, pasi furtuna nuk kishte mbaruar.
Atë ditë organet e shtypit morën njoftim se si do ta trajtonin ngjarjen. Në ora 20.00 në lajmet e mbrëmjes Spikeri i televizionit K. Fotiadhi njofton lajmin për vetëvrasjen e Kryeministrit. Thatë. Fare shkurt. Sikur të kishte ndodhur një aksident nga ata të rëndomtit që jepen tani çdo ditë në lajme… Më pas, këngë e vale në TVSH.
Më datën 19 do të bëhej varrimi i tij. Rreth ore 10 paradite u mblodh një grup i vogël në rrugën ndërmjet godinës së Komitetit Qendror dhe Godinës së Bashkimeve Profesionale (para ish vilës së shërbimit të shoqëruesve të Kryeministrit). Makina e varrimit që ishte lajmëruar, nuk dinte ku të shkonte dhe kishte vajtur tek godina e Klinikës Speciale, jashtë bllokut.
Zv. Ministri Xhule Çiraku më thotë mua “ik merre dhe bjere këtu”. Më duhej që ta kaloja ndërmjet rojeve të gardës që bënin shërbim, dhe unë ashtu veprova.
Binte një shi i rrëmbyer dhe i vazhdueshëm. Përcjellësit shumica ishin punonjës të Kryeministrisë, mes të cilëve dallohej sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë Kiço Kasapi, pasi ishte më i gjati, një person shumë i zoti në punën e tij, njeri me humor dhe komunikues, por tashmë dukej shumë i hidhëruar dhe rrinte kokulur.
Po lageshim shumë, të gjithë ishim pa çadër. Prunë arkivolin me trupin e Kryeministrit e futën në makinë dhe u nisën për në varrezat e Sharrës. Shumë pak njerëz morën pjesë në varrimin e Mehmet Shehut. Pak familjarë dhe shumë pak zyrtarë. Asnjë fjalim. Asnjë minutë zi për njeriun që kishte bërë epokë në krye të shtetit shqiptar.
A ishte ky një fund i kërkuar dhe i paralajmëruar për një personalitet të jashtëzakonshëm të historisë sonë kombëtare? Jam i bindur se koha dhe historia do t’i japë vendin e merituar.
Atë ditë, më 18 dhjetor 1981, u mbyll një epokë lavdie.
Fund