Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Konferenca IV e Muzeut të Bankës së Shqipërisë

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Ditën e sotme është zhvilluar Konferenca IV e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, me temë “Mesjeta, pararendëse e një sistemi monetar të mirëorganizuar”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha në fjalën përshëndetëse se, organizimi i kësaj konference është një aktivitet nga më të rëndësishmit për këtë muze, pasi jo vetëm na ndihmon të pasurojmë dhe të vijojmë studimin e koleksioneve të ekspozuara në muzeun tonë, por njëherazi u shërben dhe studiuesve vendas e të huaj si një platformë diskutimi e argumentimi për punën e tyre kërkimore shkencore.

“Vështrimi në histori është i rëndësishëm pasi mund të gjejmë përgjigje për problematika që na shqetësojnë edhe sot, si p.sh. stabiliteti financiar dhe stabiliteti i cmimeve shprehur në mënyrën më të dukshme në qëndrueshmërinë e monedhës dhe rolin e saj në besueshmërinë e sistemit financiar”, tha guvernatori Sejko.

E pranishme në konferencë ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, si dhe kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi.

Margariti e konsideroi Konferencën IV të Muzeut të Bankës së Shqipërisë, “një nga më interesantet, krijuar nga një institucion bankar, që na rrëfen një linjë të veçantë në historinë e shqiptarëve dhe paraardhësve tanë, që ka të bëjë pikërisht me raportin që ata kanë pasur me paranë”.

“Përmes numizmatikës ne kuptojmë edhe shumë elementë të tjerë që lidheshin jo vetëm me pushtetin ekonomik, “nënshkruar” edhe me imazhet e mbretërve apo prijësve të shquar të kohës, por edhe për jetën shoqërore në këto troje, shtrirjen territoriale, deri te simbolika dhe estetika e emetimit të tyre”, deklaroi Margariti.

Ajo tha se, e sheh me shumë interes veprimtarinë e këtij muzeu, në bashkëpunim edhe me institucione të tjera të trashëgimisë kulturore, sidomos në rrafshin e edukimit të brezit të ri, që prej një monedhe mund të mësojë faqe të tëra historie.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.