Ende nuk ka një emër për kandidat për President të vendit. Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet mesditën e sotme për të caktuar datën e mbajtjes së raundit të tretë për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Konferenca do të mbahet në orën 14:30 dhe vjen pas djegies së raundit të dytë. Deri më tani, në Kuvend nuk është propozuar asnjë emër për President, duke bërë që dy votimet e para të cilësohen të kryera.
Ditën e djeshme, u dogj edhe votimi i dytë në Kuvendin e Shqipërisë për shkak të mungesës së kandidaturave. Të mërkurën e kaluar, u shkel edhe marrëveshja mes opozitës dhe maxhorancës.
Alibeaj deklaroi se marrëveshja ishte shkelur duke pretenduar se parashikonte propozimin nga ata të 4 kandidaturave, nga të cilat, socialistët do të përzgjidhnin dy dhe më pas, së bashku do të vendosnin për emrin që do e mbështesnin si kandidaturë të dyja palët.
Por socialistët nga ana tjetër ngritën pretendimin se nuk e kishin pranuar asnjëherë një formulë të tillë që i përjashtonte ata nga e drejta propozimin të një kandidature për president. Kryetari i grupit socialist Taulant Balla deklaroi se ata kishin rënë dakort që dderi në raundin e tretë të ishte opozita që të propozonte.
Pas seancës së djeshme, Alibeaj deklaroi se ai i qëndronte propozimit të tij, që siç theksoi, i garantonte vendit një president që nuk ishte as i njërës dhe as i tjetrës palë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se “Do të presim dhe raundin e tretë. Nëse do jetë i njejti rezultat. do mblidhemi e do flasim me kryesinë e PS-së, pastaj me grupin parlamentar, pastaj në sallë”.
Deri në raundin e tretë, Presidenti mund të zgjidhet vetëm me një shumicë të cilësuar prej 84 votash. Ndërsa në raundin e 4-të ose të 5-të, vetëm me shumicën e thjeshtë prej 71 deputetësh.
j.l./ dita