Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

“Nëse dëshiron ta fitojë luftën e re ideologjike, Europa duhet të tjetërsojë modelin e globalizmit liberal-kapitalist”

Aty nga fundi i prillit 2022, as dy muaj pasi Rusia sulmoi Ukrainën, bota përjetoi një ndryshim të thellë të kuptimit të luftës për të ardhmen. Iku ëndrra e një zgjidhjeje të shpejtë.

Lufta çuditërisht tashmë është “normalizuar”, pranuar si një proces që do të vazhdojë pambarimisht. Frika e një përshkallëzimi të papritur, dramatik, do të përndjekë jetët tona. Autoritetet në Suedi dhe gjetiu, po këshillojnë publikun të mbajnë rezerva për të përballur kushtet e kohës së luftës.

Kjo zhvendosje është reflektual në të dyja anët e konfliktit. Në Rusi, diskutimet për një konflikt global po bëhen përherë e më të forta. Si drejtues i RT, Margarita Simonyan e ka shprehur:

“Humbasim Ukrainën apo nis një Luftë e Tretë Botërore…. Personalisht, mendoj se skenari i një Lufte të Tretë është më realist”.

Një paranojë e tillë mbështetet nga teori të fandaksuara konspiracioni rreth një komploti të bashkuar liberal-totalitar, nazisto-hebre për të shkatërruar Rusinë.

Pyetjes se si Rusia mund të shpallë “denazifikimin” e Ukrainës kur presidenti ukraians, Volodymyr Zelenskiy është për vete hebre, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov u përgjigj:

Mund ta kem gabim, por Hitleri po ashtu kishte gjak hebre. Që Zelenskiy është hebre nuk do të thotë asgjë. Çifutët e mençur thonë se anti-semitët më të ashpër janë zakonisht hebrej

Nga ana tjetër, sidomos në Gjermani, po merr formë një version i ri i pacifizmit. Nëse shohim përtej retorikës së lartë dhe përqendrohemi tek ajo çfarë Gjermania po bën, mesazhi është i qartë:

Nisur nga interesat tona ekonomike dhe rrezikun e tërheqjes në një konflikt ushtarak, ne nuk duhet ta mbështesim shumë Ukrainën, edhe nëse kjo do të thotë ta lëmë atë të gëlltitet nga Rusia.

Gjermania druhet se kalon një vijë përtej së cilës Rusia do të acarohet realisht. Por vetëm Vladimir Putin vendos se ku qëndron kjo vijë në një ditë të caktuar. Loja me frikën e pacifistëve perëndimorë është një pjesë kryesore e strategjisë së tij.

Qartazi, çdokush do që ta parandalojë shpërthimin e një lufte të re botërore. Por kur tregohesh shumë i kujdesshëm vetëm sa e inkurajon agresorin. Bullizuesit për nga natyra vijojnë përpara duke shpresuar se viktima nuk do reagojë.

Për të parandaluar një luftë më të madhe, për të vendosur një lloj frenimi, ne, gjithashtu, duhet të vendosim vija të qarta. Deri më tani, Perëndimi ka bërë të kundërtën.

Kur Vladimir Putin po përgatitej për të nisur “operacionin e tij special” në Ukrainë, presidenti amerikan, Joe Biden u shpreh se administrata e tij do të duhet të priste për të parë nëse Kremlini do të ndërmerrte “një inkursion të vogël” apo një pushtim të plotë. Kuptimi i kësaj, sigurisht ishte që një akt “i vogël” agresioni do të tolerohej.

Zhvendosja e tanishme në optikë, zbulon një të vërtetë të thellë dhe të errët rreth pozicionit perëndimor: Ndërsa ne më parë kemi shprehur frikën se Ukraina do të shtypej shpejt, frika jonë e vërtetë ishte pikërisht e kundërta: se pushtimi do të çonte në një luftë pa fund të dukshëm.

Do të ishte shumë më përfituese nëse Ukraina do të binte menjëherë, duke na lejuar neve të shprehnim zemërim, vajtim dhe humbje dhe më pas “t’i ktheheshim biznesit” si zakonisht.

Ajo çfarë duhet të ishte një lajm i mirë – një vend i vogël që papritur i reziston heroikisht agresionit brutal të një fuqie më të madhe – është shndërruar tani në një burim turpi, një problem me të cilin ne nuk po dimë çfarë të bëjmë.

E majta pacifiste europiane është kundër çdo ripërqafimi të shpirtit heorik ushtarak të brezave të mëparshëm. Filozofi gjerman, Jurgen Habermas ka sugjeruar madje se Ukraina është fajtore për shantazh moral vis-à-vis ndaj Europës.

Ka diçka shumë melankolike në këtë pozicion. Siç Habermas e di mirë, Europa e pas-luftës ishte e aftë të qëndronte larg militarizmit vetëm për shkak se ndihej e sigurtë nën ombrellën bërthamore amerikane. Por rikthimi i luftës në kontinent sugjeron se kjo periudhë mund të ketë mbaruar dhe se pacifizmi i pakushtëzuar kërkon tani kompromise përherë e më të rënda morale.

Për fat të keq, aktet “heroike” do të duhen sërish dhe jo vetëm për t’i rezistuar dhe për të frenuar një agressor, por gjithashtu për të përballur probleme të tilla si katastrofat mjedisore dhe uria.

Après le Déluge

Në frëngjisht, hendeku mes asaj që ne kemi frikë zyrtarisht dhe asaj çfarë kemi realisht frikë, jepet bukur nga e ashtuquajtura ne expletif, një “jo” që nuk ka kuptim në vetvete për shkak se është përdorur vetëm për arsye të sintaksës apo prononcimit.

Jacques Lacan përdorte ne expletif për të shpjeguar dallimin mes një shpresimi dhe dëshire. Kur unë them: “Kam frikë se stuhia do të vijë”, ndërgjegja ime uron që ajo nuk do të vijë, por dëshira ime e vërtetë është gdhendur në “jo” e shtuar:

Diçka si ne expletif aplikohet po ashtu në frikën europiane lidhur me ndalimin e furnizimit me gaz nga Rusia.

Ne kemi frikë se ndërprerja e furnizimit me gaz do të shkaktojë një katastrofë ekonomike”, përsërisim ne. Po sikur frika jonë e shpallur të jetë e rreme? Po sikur ne të kemi frikë realisht se një ndërprerje e furnizimit me gaz nuk do ta shkaktonte këtë katastrofë?

Siç ma shprehu së fundmi Eric Santner i Universitetit të Çikagos, çfarë kuptimi do të kishte nëse ne do të përshtateshim shpejt? Fundi i importeve të gazit rus, jo vetëm që do të inauguronte fundin e kapitalizmit, por “do të detyronte një ndryshim real në mënyrën europiane të jetesës”, një zhvendosje që do ishte e mirëpritur shumë, pavarësisht interesave të Rusisë.

Për ta lexuar literalisht ne expletif-in, veprimi sipas “jo-së” është ndoshta akti politik më gjenuin i lirisë sot.  Konsideroni shpalljen e përhapur nga Kremlini se ndalimi i gazit rus do të ishte ekuivalente me vetëvrasjen ekonomike.

Nisur nga ajo që duhet bërë për vendosur shoqëritë tona në një rrugë më të qëndrueshme, a nuk do të ishte kjo çliruese? Për të cituar Kurt Vonnegut, ne do të kishim shmangur hyrjen në histori si e para shoqëri që nuk e shpëtoi veten për shkak se një gjë e tillë nuk ishte efektive.

Globalizimi i kujt?

Media perëndimore është e mbushur me raportime mbi miliarda dollarë që janë dërguar në Ukrainë; ndërkohë Rusia po merr dhjetëra miliardë dollarë për gazin me të cilin furnizon Europën.

Ajo çfarë Europa refuzon ta konsiderojë është se mund të ushtronte një fomë presioni të jashtëzakonshëm joushtarak mbi Rusinë, duke bërë njëkohësisht shumë dobi për planetin. Më tej akoma, dorëheqja nga gazi rus do të lejonte një lloj tjetër globalizimi – një alternativë absolutisht e domosdoshme si për variantin perëndimor liberal-kapitalist, ashtu edhe për markën autoritare kino-ruse.

Rusia nuk kërkon vetëm të shpërbëjë Europën. Ajo e prezanton veten po ashtu si një atlet të vendeve në zhvillim kundër neokolonializmit perëndimor. Propaganda ruse shfrytëzon me shumë aftësi kujtimet e hidhura të vendeve në zhvillim apo me të ardhura mesatare; kujtime të lidhura me abuzimet e Perëndimit: A ishte bombardimi i Irakut më keq se bombardimi i Kievit? A nuk u rrafshua Mosuli po aq pamëshirshëm sa Mariupoli?

Sigurisht, ndërsa Kremlini e prezanton Rusinë si një agjent të dekolonizimit, ai nuk e kursen mbështetjen ushtarake për diktatorë lokalë në Siri, Republikën e Afrikës Qendrore dhe gjetkë. Aktiviteti i organizatës mercenare të Kremlinit, “Grupi Wagner” që është investuar për llogari të regjimeve totalitare në botë, ofron një copëz të asaj sesi do të dukej globalizimi i stilit rus.

Vëreni se si i shprehet së fundmi Yevgeny Prigozhin, njeriu i Putinit pas këtij grupi, një gazetari perëndimor:

Ju jeni një shoqëri perëndimore në vdekje që konsideron rusët, malezët, afrikano qendrorët, kubanët, nikaraguanët dhe shumë popuj të tjerë dhe vende se janë mbeturina të Botës së Tretë. Ju jeni një tufë patetike perversësh në rrezik por ka shumë si ne, miliarda. Dhe fitorja do jetë e jona

Ukraina deklaron me krenari se po mbron Europën, Rusia përgjigjet se po mbron të gjitha viktimat e Europës në të shkuarën dhe të sotmen. Ne nuk duhet ta nënvlerësojmë ndikimin e kësaj propagande. Në Serbi, sondazhi i fundit tregon se për herë të parë, një shumicë votuesish tani i kundërvihen anëtarësimit në BE.

Nëse Europa dëshiron ta fitojë luftën e re ideologjike, ajo do duhet ta tjetërsojë modelin e vet të globalizimit liberal-kapitalist. Ndryshimi duhet të jetë radikal përndryshe do të dështojë dhe do ta kthejë BE-në në një territor të rrethuar nga armiq të vendosur për ta penetruar dhe shkatërruar atë.

Jam shumë i vetëdijshëm për pasojat e bojkotimit te gazit rus. Do të shkaktonte atë që e kam quajtur vazhdimisht “komunizëm lufte”. Të gjitha ekonomitë tona do duhet të organizoheshin si në një luftë të plotë, apo ngjashëm me një fatkeqësi në shkallë të gjerë.

Por kjo, edhe kështu, nuk është aq e largët sa mund të duket. Vaji i gatimit qysh tani është racionuar në mënyrë informale në dyqanet e Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të luftës. Nëse Europa heq dorë nga gazi rus, mbijetesa do të kërkojë ndërhyrje të ngjashme.

Në fakt, Rusia shpreson pikërisht në paaftësinë e Europës për të bërë ndonjë gjë “heroike”.

Është e vërtetë, ndryshime të tilla do të rrisin rrezikun e korrupsionit dhe do japin mundësi përfitimesh ekstra për kompleksin ushtarako-industrial. Por këto rreziqe duhen balancuar kundrejt interesave më të mëdha që shkojnë shumë përtej luftës në Ukrainë.

Pesë kalorësit

Kjo botë po përballet me kriza të shumëfishta në të njëjtën kohë. Ato evokojnë katër kalorësit e apokalipsit: murtaja, lufta, uria dhe vdekja.

Këta kalorës nuk mund të refuzohen thjesht si figura të së keqes. Siç ka vënë në dukje Trevor Hancock, lider i Partisë së Gjelbër në Kanada, jemi “kaq afër asaj si katër kalorësit rregullojnë përmasën e popullsisë në natyrë”.

Në terma ekologjikë, “katër kalorësit” luajnë një rol pozitiv duke parandaluar mbipopullimin. Por kur vjen puna te njerëzit, ky rregullator nuk ka funksionuar: Popullsia njerëzore është më shumë se trefishuar në 70 vjetët e fundit, nga 2.5 miliardë në 1950 në 7.8 miliardë sot.

Çfarë ndodhi? Pse ne nuk jemi kontrolluar? A ka ndonjë kalores të pestë që do shkaktonte rënien e popullsisë siç bëjnë brejtësit? Deri tani vonë, vëren Hanckock, njerëzimi ka qenë në gjendje të mbante nën kontroll katër kalorësit me mjekësi, shkencë dhe teknologji. Por tani “ndryshimet e shpejta dhe masive që kemi vënë në lëvizje” po dalin jashtë kontrollit tonë.

Ndaj, ndonëse një goditje asteroidi apo shpërthim super vullkani do na shfaroste gjithsesi, kërcënimi më i madh për popullsinë njerëzore, kalorësi i pestë nëse doni, jemi Ne

Nëse do të shkatërrohemi apo shpëtojmë, varet nga ne. E teksa vetëdija globale për këto kërcënime po rritet, ajo nuk është përkthyer në veprime domethënëse, kështu që katër kalorësit po rendin përherë e më shpejt: Pas murtajës CoVid-19, krizat e urisë ndodhen para nesh. Të gjitha  do të rezultojnë në vdekje masive, ndërsa do bëjnë pjesën e tyre edhe fatkeqësitë përherë e më të rënda natyrore të krijuara nga ndryshimi klimaterik dhe humbja e biodiversitetit.

Por ne duhet sigurisht, t’i rezistojmë edhe tundimit të glorifikimit të luftës si një përvojë autentike që na shkund nga kënaqësia jonë e konsumizmit hedonist. Alternativa nuk është thjesht të çajmë përmes. Më shumë është mobilizimi në veprime nga të cilat do të përfitonim për një kohë të gjatë, pasi lufta të ketë mbaruar.

Nisur nga rreziqet me të cilat përballemi, pasioni ushtarak është një arratisje frikacake nga realiteti. E tillë është edhe kënaqësia e rehatisë jo heroike.

Burimi: Project Syndicate

Përkthimi: ResPublica

Redaktimi: DITA