Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Nga gjakosja e Shkodrës te përgjakja e Shqipërisë, ish-ministri diplomat sjell historinë e vendit nga pranvera ’91 në pranverën ’97

Këtë të shtunë, më datë 21 Maj 2022, u promovua në ambientet e Muzeut Kombëtar libri “Nga Gjakosja e Shkodrës tek Përgjakja e Shqipërisë” i ish-ministrit dhe ish- diplomatit Shaqir Vukaj.

Në librin voluminoz, Vukaj i kthehet një periudhe të vështirë të Shqipërisë, nga pranvera ’91 deri tek pranvera ’97. E vitet mes këtyre ‘pranverave shqiptare’ janë të mbushura me ndryshime dhe ngjarje jo gjithnjë të paqta.

Ato vite, shpesh, mbizotëronte ndasia, e pabukura dhe frika në Shqipëri.
Për të hedhur dritë mbi zhvillimet e a një kohe jo fort të largët, Vukaj ka përdorur shënimet përsonale e mbajtura gjatë atyre viteve, pa u munduar as të glorifikojë e as të përdhosë.

Ai dëshmon të vërtetën e tij me vështirësitë dhe arritjet si kryetari i parë i Partisë Socialiste në Shkodër, si deputet i kësaj force politike dhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë e, mbi të gjitha, si Ministër i Mbrojtjes në qeverinë e Pajtimit Kombëtar.

Dëshmia e Vukaj nuk tenton as të drejtojë gishtin e përgjegjsisë ndaj ndokujt, as t’i japë merita të pamerituara të tjerëve.

Hapur dhe pa doreza, ai tregon versionin e vet të një kohe të përgjakur tranzicioni, ashtu si ishte, ashtu si e përjetoi, që nga 2 Prilli i shëmtuar, me djegien dhe vrasjet në Shkodër, deri në kohën kur vorbulla e shëmtuar e vëllavrasjes u përhap në të gjithë vendin në pranverën e mbrapshtë të vitit 1997.

Në promovimin e librit “Nga Gjakosja e Shkodrës tek Përgjakja e Shqipërisë” ishin të pranishëm figura të rëndësishme të letrave, publicistikës dhe politikës së vendit, bashkëpuntorë të ngushtë të z. Vukaj ato vite e më vonë.

Ish Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Namik Dokle, prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, ish- Ministrja e Jashtme Arta Dade, gazetarja Rudina Xhunga, ushtarakë, intelektualë të Shkodrës, miq e dashamirës.

Qëndrimi i hapur, larg ndasive, bashkëpunues përtej kaheve i z. Vukaj, që shfaqet edhe në këtë libër të tij u nënvizua edhe nga folësit që, gjithashtu, theksuan se kjo dëshmi me vlerë historike vlen edhe si mësim që shëmtia e një kohe të shkuar të mos lejohet të përsëritet.

i.b. / dita