Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Nis sot konkurrimi për “Doktoraturën”, mesatarja që duhet tek Shkencat Sociale

Nis sot konkurrimi për pranimet e reja në programet e ciklit të tretë të studimeve në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës. Për njëzet ditë me radhë, të gjithë kandidatët që plotësojnë kushtet e përcaktuara do të mund të aplikojnë duke dorëzuar dosjen e dokumenteve të duhura.

Sipas vendimit të marrë nga dikasteri i arsimit, fusha e programit kërkimor “Doktoraturë në Shkenca Sociale”, do të zhvillohet në gjashtë drejtime që janë: “Edukim”, “Psikologji, “Pune dhe Politika Sociale ”, “Sociologji ”, “Shkenca Politike”, si dhe “Filozofi”. Në këto programe do të mund të konkurrojnë vetëm kandidatët që kanë mesatare të studimeve të ciklit të parë mbi notën 8, si dhe të ciklit të dytë mbi notën 9. Ndërkohë që janë detajuar edhe kriteret e tjera që duhet të përmbushin të gjithë kandidatët që do të garojnë për këto programe studimi.

“Periudha e aplikimit të dokumentacionit për programin doktoraturë  në “Shkenca Sociale” është nga data 1 deri 20 qershor. Konkurrimi do të zhvillohet me anë të dosjes së dokumenteve. Dosja e dokumentacionit të aplikimit mund të dorëzohet pranë Laboranteve të Departamenteve, çdo ditë pune në orarin 12.00 -16.00. Dosja e pranimit të kandidatit për programin e doktoraturës duhet të përmbajë të gjitha dokumentet që parashikon udhëzimi i MAS dhe duhet të jenë në përputhje me fushat e kërkimit shkencor të shpallura nga njësitë bazë të fakultetit”, bëjnë me dije autoritetet e Fakultetit të Shkencave Sociale. Dosjen e plotë të dokumenteve që duhet të dorëzoni në afatin e përcaktuar,e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.

Kategoritë që mund të konkurrojnë:

Sa i takon kategorive që kanë të drejtë të aplikojnë për kuotat e reja të pranimeve të përcaktuara për vitin akademik 2021-2022 në këtë cikël studimi janë të gjithë kandidatët që u përkasin këtyre kategorive: “janë personel akademik me kohë të plotë të punësuar në institucionet publike të arsimit të lartë, janë personel me kohë të plotë të punësuar në institucionet publike të kërkimit shkencor apo institucione ligjzbatuese që aplikojnë apo drejtojnë kërkim shkencor, janë personel akademik i punësuar aktualisht si pedagog me kohë të plotë në universitetet private me minimalisht për një periudhë 3-vjeçare, si dhe janë personel akademik i angazhuar minimalisht 5 vjet si pedagog i me kohë jo të plotë pranë Fakultetit të Shkencave Sociale dhe i punësuar aktualisht me kohë të plotë pranë NGO-ve apo agjencive jo publike që kanë si objekt të punës së tyre kërkimin shkencor në fushat e kërkimit që ofrohen nga departamentet e Fakultetit të shkencave Sociale.

Kriteret e pranimit për 2022

Për të konkurruar për programet e studimit të doktoraturës në këtë fakultet çdo aplikues duhet të përmbushë një sërë kriteresh. Së pari duhet të ketë përfunduar studimet e larta “Bachelor” në njërin nga programet e studimit që ofrohen në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe që përkojnë me programet që ofrohen në nënfushat e studimit të programit doktoraturë. Gjithashtu do të pranohen edhe aplikimet e kandidatëve që kanë edhe diploma të tjera, si: Diplomë Master Shkencor në njërën nga nënfushat e kërkimit që ofron programi doktoraturë, diplomë të Nivelit të Dytë (DND) ose Diplomë Master i Nivelit të Dytë (MND) në njërën nga nënfushat e kërkimit, ata që kanë diplomë e sistemit të vjetër 4 vjeçar të pandarë në cikle “Bachelor” dhe “Master”, në njërën nga nënfushat e kërkimit që ofron cikli i tretë i studimeve në këtë fakultet. Do të pranohen edhe diplomat e nivelit të dytë të lëshuara nga universitete të huaja dhe të njohur nga organet kompetente shqiptare (MAS), në njërën nga nënfushat e kërkimit që ofron programi doktoraturës në Shkencat Sociale.

Lidhur me kriterin e mesatares autoritetet e Fakultetit të Shkencave Sociale bëjnë me dije se në këto programe mund të konkurrojnë kandidatët që kanë notë mesatare të studimeve ne nivelin “Bachelor” mbi notën 8, teksa nota mesatare e studimeve në nivelin “Master shkencor” duhet të jetë mbi notën 9. Ndërsa për notat mesatare të studimeve të diplomave të pandara në cikle, aplikuesi duhet të ketë mesatare të studimeve mbi 8.5.

Një tjetër kriter i rëndësishëm është edhe njohja e gjuhës së huaj sipas testeve ndërkombëtare të licencuara nga MAS. “Dëshmia e gjuhës se huaj në një nga gjuhët: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht ose spanjisht, minimumi duhet të jetë në nivelin B 2, dhe në përputhje me Udhëzimin Nr. 52, datë 03.12.2015 “Për përcaktimin e niveleve të gjuhëve të huaja dhe të teksteve ndërkombëtare, për pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë, në institucionet e arsimit të lartë”, ndryshuar me Udhëzimin nr. 20, datë 22.09.2017, të zotërojë nivelin C1 përpara fillimit të studimeve të vitit të tretë të doktoraturës”, sqarojnë autoritetet e këtij fakulteti.

Për të mos u përjashtuar nga konkurrimi duhet që ndaj kandidatit të mos jenë marrë masa disiplinore , apo të mos jetë gjetur në shkelje të rregullave të etikës së kërkimit shkencor, të të drejtave që burojnë nga pronësia intelektuale apo shkelje të rregullave kundër plagjiaturës,

Gjithashtu, aplikuesi duhet që të vetëdeklarojë se është në gjendje të zbatojë standardet shkencore dhe etike në programin e studimeve, teksa duhet që të paraqesë edhe një dëshmi penaliteti që të mos jetë i dënuar nga autoritete shqiptare apo jashtë Shqipërisë.

Prioritetet në përzgjedhje:

Procesi përzgjedhjes së aplikantëve për vitin 2021-2022, do të jetë sipas disa prioriteteve të përcaktuara. Të parët në përzgjedhje do të jenë kandidatët që janë personel akademik me kohë të plotë nga departamentet e Fakultetit të Shkencave Sociale të kategorisë Asistent Lektor, detyrim ligjor i institucionit , bazuar të LAL 80/2015.

Të dytët në përzgjedhje do të jenë kandidatët që janë personel akademik me kohë të plotë nga institucionet e tjera publike të arsimit të lartë dhe që i përkasin  kategorisë Asistent –Lektor.

Përzgjedhja më pas do të vijojë me kandidatët e kategorisë personel me kohë të plotë nga institucione kërkimore shkencore ose institucione publike me aktivitet ose zbatim të kërkimit shkencor, ose personel akademik nga universitete jo publike (vërtetuar nga institucioni se aplikanti ka angazhim me kohë të plotë minimalisht 3 vjet në atë institucion të arsimit të lartë).

Ndërkohë që prioriteti i fundit janë kandidatët e kategorisë personel me kohë të plotë pranë Agjencive apo Organizatave publike dhe jopublike, të cilat kanë si objekt të punës së tyre kërkim shkencor në fushat e kërkimit që ofrohen nga nënfushat kërkimore të këtij fakulteti dhe që ky personel është angazhuar si pedagog i me kohë jo të plotë, minimumi 5 vjet pranë FSHS. Për të gjithë aplikuesit bëhet e ditur se vlerësimi i mikrotezës në programet master duhet të jetë i nivelit ”shumë mirë” me notën 9 ose 10.

Dokumentet e dosjes së kandidatit duhet të jenë renditur si më poshtë:

  • Kërkesa me shkrim e kandidatit drejtuar departamentit, me argumentimin për nevojën që e shtyn kandidatin për studime të thelluar në këtë fushë kërkimore të propozuar nga departamenti, drejtimin e studimit, objektivat e kërkimit shkencor, metodologjinë që mund të ndjekë në këtë fushë kërkimore, risitë që pritet të sjellë punimi në lidhje me fushën e kërkimit, etj.
  • Diploma e shkollës së lartë dhe lista e notave për diplomën e ciklit të parë dhe të ciklit dytë të studimeve M.Sc, ose ekuivalente me të, origjinale ose kopje e noterizuar dhe e vërtetuar e tyre. Për kandidatët që e kanë fituar këtë diplomë jashtë vendit duhet paraqitur dokumenti i ekuivalentimit të diplomës nga organet përkatëse (MAS).
  • Curriculum Vitae, si dhe dëshmitë për specializimet e mëparshme që ndikojnë në kualifikimin pasuniversitar (nëse ka).
  • Dëshmitë për bashkëpunimin me institucionet e tjera shkencore e private (nëse ka).
  • Kopje pasaporte e noterizuar ose fotokopje e kartës së identitetit që vërteton shtetësinë shqiptare.
  • Dëshmi penaliteti.
  • Dy rekomandime të dhëna nga staf akademik nga instutcionet e arsimit të lartë publike ose private .
  • Vetëdeklarim të aplikantit se do të zbatojë standardet shkencore dhe etike të kërkimit shkencor e publikimit.
  • Dëshmi të gjuhës të gjuhës së huaj që zotëron ose kopje e noterizuar e saj.
  • Mandat për tarifën e aplikimit për konkurrim (duke vërtetuar edhe respektimin e afatit) prej 5 000 lekësh të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë.
  • Vërtetim nga qendra e punës që vërteton se kandidati ka angazhim akademik me kohë të plotë pranë një institucioni të arsimit të lartë, apo është personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar.
  • Leja nga titullari i qendrës së punës që lejon kandidatin, nëse del fitues, të ndjeki programin e doktoraturës part – time duke ju përgjigjur të gjitha kërkesave që ka programi
  • Deklaratë vetjake e studentit për përballimin e shpenzimeve të pagesës të përcaktuara në vendimet e Universitetit të Tiranës.