Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

​Osmani pas takimit me Gjukanoviç: E ardhmja e shteteve tona, në BE

PRISHTINË, 7 shkurt/ATSH/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me homologun e saj malazez, Milo Gjukanoviç, ku pas takimit, e para e shtetit tha se e ardhmja e të dyja vendeve është në BE. Osmani tha se Kosova e Mali i Zi po punojnë bashkë për të realizuar synimin për në BE. Në fakt, është vetëm një vend në rajon që nuk dëshiron marrëdhënie të mira mes fqinjëve dhe kontributin e tij në kthimin në të kaluarën dhe jo për të shkuar në të ardhmen, ai shtet është Serbia, ka thënë Osmani.

“Në fakt, është vetëm një vend në rajon që nuk dëshiron marrëdhënie të mira mes fqinjëve dhe kontributin e tij në kthimin në të kaluarën dhe jo për të shkuar në të ardhmen, ai shtet është Serbia, nuk ka asnjë ndërhyrje tjetër përveç, natyrisht, asaj nga Rusia, e cila hyri në rajon përmes satelitit të saj Serbisë, dhe ky është burimi i vetëm i rrezikut për stabilitetin. Por ne do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë të palëkundur dhe të ecim drejt rrugës sonë evropiane sepse nuk mendojmë fare për alternativa të tjera, është e vetmja alternativë që ofron paqe, stabilitet dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, ky është qëllimi strategjike edhe i Bashkimi Evropian që gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në këtë sistem vlerash, kjo është e vetmja mënyrë për të arritur paqen në rajon. Mali i Zi tashmë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e para është përvoja dhe e dyta është zëri i fuqishëm dhe i fortë i Malit të Zi në arenën ndërkombëtare, në kontekstin që zërat e vendeve të rajonit merren shumë seriozisht dhe sa më shumë vota nga rajoni ta mbështesin Kosovën në rrugën euroatlantike, aq më shumë do të forcohet mbështetja në vendet që janë gjeografikisht larg nesh. Kjo mbështetje është treguar edhe në raste konkrete gjerë më tani, në të gjitha organizatat ndërkombëtare ku ka aplikuar Kosova, Mali i Zi na ka përkrahur plotësisht, ka thënë Osmani.

Tutje, ajo tha se qëndrimet e Republikës së Kosovës në lidhje me planin franko-gjerman kanë qenë të qarta që nga propozimi i këtij dokumenti në shtator.

“Qëndrimet e Republikës së Kosovës dhe qëndrimet në lidhje me planin franko-gjerman kanë qenë të qarta që nga propozimi i këtij dokumenti në shtator, ne e konsiderojmë një platformë të mirë, një nismë që synon vendosjen e paqes dhe stabilitetit më të mirë, si një nismë që do të sjellë dinamika të reja në dialog dhe si një platformë e mirë apo një bazë e mirë për bashkëpunim të mëtejshëm si një platformë e mirë dhe një platformë e pranueshme, ashtu e konsiderojmë edhe sot, megjithatë, gjithmonë e potencojmë se ka shumë gjëra që duhen shpjeguar në atë proces. Pra është një numër i madh çështjesh që nuk janë ezauruar, garancitë ndërkombëtare, funksionaliteti shtetëror, do të vazhdojmë ta diskutojmë këtë, do të kemi takime të nivelit të lartë në Bruksel, do të kemi një numër të madh takimesh në Kosovë dhe në qendra tjera botërore, për të sqaruar aspektet e këtij plani që janë të shumta. Ne gjithmonë udhëhiqemi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili u lejon komunave të themelojnë shoqata joqeveritare, por pushteti ekzekutiv nuk mund të futet në atë nivel dhe ne i qëndrojmë asaj që nga fillimi i dialogut e deri më sot, dhe më lejoni të përfundoj me këtë. Kur flasim për planin francez gjerman që mbështet Bashkimi Evropian, për disa është thjesht një copë letër, për disa është një propozim i rëndësishëm për karrierën e tyre, por për ne është e ardhmja, ku vendoset për jetën tonë, të ardhmen tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë është kaq e rëndësishme që ne mbrojmë me këmbëngulje interesat tona”, ka thënë Osmani.

Nga ana tjetër presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu në konferencë para gazetarëve ka folur për bashkëpunimin në konsolidimin e stabilitetit në rajon dhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Jam i bindur se një frekuencë e mirë dhe një dialog i sinqertë që përcjell të gjitha këto takime do të vazhdojë të kontribuojë në përmirësimin e një fqinjësie të mirë, kështu që do të nënkuptojë një konfirmim se bashkarishët jemi plotësisht të përkushtuar ndaj synimeve tona Evropiane dhe Euroatlantike dhe se kjo do të kontribuojë në përmirësimin e bashkëpunimit ndërshtetëror. Ne i kuptojmë shumë ambiciet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës në një të ardhme të afërt, e kuptojmë iniciativën e tyre për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Evropian, e kuptojmë njoftimin e tyre se duan të jenë pjesë e Partneritetit për Paqen. Shpresojmë gjithashtu që me rekomandimin e komisionit kompetent të Parlamenti Evropian, i cili tashmë është bërë, Parlamenti Evropian dhe ministrat e Punëve të Brendshme të Bashkimit Evropian do ta pranojnë atë rekomandim dhe në fund do të sigurojnë regjim pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë dhe znj. Osmani Sadriu diskutuam edhe për çështje bilaterale, së bashku u shprehëm të kënaqur që marrëdhëniet jo që janë vetëm fqinjësore, por shumë thelbësore, shumë cilësore, shumë miqësore, por edhe që, si në të gjitha marrëdhëniet, ka vend për përmirësim të mëtejshëm”, ka thënë Gjukanoviq.

Gjukanoviq ka shtuar se jemi të bindur se është e mundur të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme mes Kosovës e Serbisë.

“Prandaj, ne jemi të bindur se është e mundur të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme ligjërisht e detyrueshme, afatgjatë, ne si fqinjë të përgjegjshëm duam ta mbështesim Kosovën, ne e bëjmë këtë edhe në kontaktet tona me Serbinë, ky është sigurisht interesi i tyre parësor, por është, më lejoni të mos gënjehem, një nga interesat më të rëndësishme të të gjithë neve që jetojmë në këtë rajon. Me zgjidhjen e kësaj çështjeje do të përmirësohej dukshëm stabiliteti i këtij rajoni, me këtë krijohen kushtet për një angazhim më të plotë në zhvillimin ekonomik dhe demokratik të rajonit tonë. Prandaj, ne besojmë në dialog dhe besojmë se partnerët tanë evropianë dhe amerikanë mund të na ndihmojnë në atë dialog. E mbyll me mirënjohje për vizitën dhe mirënjohje për propozimet miqësore dhe konstruktive që, jam i sigurt, do të çojnë në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona ndërshtetërore”,ka thënë Gjukanoviq. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.