Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Parathënie nga Peter Lucas për librin “Misioni amerikan në Shqipëri”

Kjo është një histori e parrëfyer më parë e operacioneve sekrete të OSS-it (Zyrës për Shërbime Strategjike) amerikan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se si Shtetet e Bashkuara, krahas anglezëve, ndihmuan komunistët të mundnin nazistët dhe të merrnin pushtetin në vend.

I përbërë nga një grusht oficerësh të zotë dhe nja tridhjetë njerëzish të tjerë (shumica e të cilëve emigrantë shqiptarë), OSS-i futi agjentët e tij në Shqipëri nëpër natë, duke kapërcyer detin Adriatik të patrulluar nga nazistët me varka të shpejta dhe anije peshkatarësh të kapura italianëve. Atje ata vepruan nëpër shpellat bregdetare përgjatë gadishullit të izoluar të Karaburunit, duke iu shmangur patrullave gjermane para se të bashkonin forcat me të vetmin grup të rezistencës shqiptare me vullnet për të luftuar nazistët – partizanët komunistë.

Ishte ky mision i OSS-it që, krahas atij britanik, ndihmoi Enver Hoxhën dhe partizanët e tij komunistë të mposhtnin nazistët dhe të çlironin vendin. Amerikanët dhe anglezët e furnizuan Hoxhën me armë, ushqime, shërbime sekrete, luftëtarë dhe këshilltarë. Ata kërkuan të bëheshin sulme ajrore për të ndihmuar forcat e Hoxhës dhe luftuan me partizanët kur u pa e nevojshme. Pavarësisht faktit që Hoxha adhuronte diktatorin sovjetik Josif Stalin dhe Bashkimin Sovjetik, rusët nuk u dhanë ndonjë mbështetje ushtarake partizanëve gjatë gjithë luftës. Megjithatë, kjo mungesë e mbështetjes materiale nuk e zvogëloi admirimin e Hoxhës për Stalinin.

Megjithëse operacionet e Aleatëve (pa Sovietët) ishin një sukses, më vonë ato u shndërruan në një pengesë për Shtetet e Bashkuara sepse mbështetja amerikane për fitoren e komunistëve e trimëroi Hoxhën t’i kthente shpinën Perëndimit, kërkoi një aleancë të Luftës së Ftohtë me Stalinin dhe vendosi një shtet diabolik policor që zgjati për gati gjysmë shekulli. Pas luftës misioni i OSS-it u arkivua dhe u braktis.

Ndërkohë që Hoxha ndërmori një luftë guerrile kundër nazistëve, ai gjithashtu zhvilloi një luftë edhe kundër Ballit Kombëtar nacionalist, një luftë që e fitoi. Pas mundjes së Ballit, Hoxha ekzekutoi shumë nga anëtarët e tij, ndërkohë që të tjerët u arratisën në Itali dhe në Shtetet e Bashkuara, ku u mirëpritën si luftëtarë antikomunistë të lirisë. Fakti që Balli Kombëtar bashkëpunoi me nazistët ishte harruar disi. Në mjedisin antikomunist të viteve që pasuan luftën, ishte e mjaftueshme që këta bashkëpunëtorë të nazistëve kishin luftuar komunistët, të cilët Shtetet e Bashkuara i kishin mbështetur më përpara.

Një nga qëllimet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj ishte të mbante disa divizione gjermane në Shqipëri dhe përqark saj nën sulmin e përhershëm të partizanëve, në mënyrë që ato të mos dërgoheshin si përforcues kundër Aleatëve, të cilët ishin duke luftuar gjermanët në çizmen e Italisë. Një qëllim tjetër ishte të mbaheshin gjermanët jashtë balancës në lidhje me mundësinë e ndonjë zbarkimi të Aleatëve në brigjet shqiptare. Këtë anglezët e bënë mirë pasi Grupi i Shkretëtirës i Distancave të Largëta (Long Range Desert Group – LRDG) bëri disa inkursione përgjatë bregdetit shqiptar si dhe në brendësi. Sfida e tretë ishte shpëtimi i pilotëve aleatë të rrëzuar të detyruar të hidheshin nga aeroplanët e tyre të dëmtuar gjatë kthimit nga mësymjet bombarduese në zonat naftëmbajtëse të Rumanisë.

Pak dihet për këto ngjarje në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara. Të dhënat e OSS-it, që më vonë u shndërrua në Agjencinë Qendrore të Informacionit (CIA), nuk u bënë publike deri në vitin 1975, kur CIA filloi kthimin e tyre në Arkivat Kombëtare (National Archives) dhe Regjistrimin e Fakteve (Records Administration). Në Shqipëri Hoxha i asgjësoi të gjitha dokumentet që nuk flisnin në të mirë të kultit të tij dhe të Partisë Komuniste Shqiptare. Ai e mbushi OSS-in amerikan plot me tone sarkastike duke revizionuar historinë e luftës. Kurse me anglezët tallej. Hoxha nuk i pëlqente amerikanët, por anglezët i urrente. Megjithëse disa oficerë anglezë që kanë luajtur role të rëndësishme në Shqipëri kanë botuar libra mbi përvojën e tyre, ata gjithashtu shmangin amerikanët nga ngjarjet. Hoxha, me të marrë pushtetin, i hoqi qafe amerikanët dhe anglezët. Ai e ktheu Shqipërinë në një burg gjigand. Askush nuk mund të dilte prej andej dhe askush nuk mund të hynte aty. Më 1986, një vit pas vdekjes së Hoxhës, unë isha i pari gazetar amerikan që vizitoja Shqipërinë në tridhjetë vjet.

Megjithëse janë botuar shumë libra mbi OSS-in gjatë Luftës së Dytë Botërore, ky është libri i parë për operacionet e OSS-it në Shqipëri. Ky është gjithashtu i pari libër që tregon mbi atë çfarë bëri OSS-i në Shqipëri për të ndihmuar Enver Hoxhën dhe partizanët në fitoren e luftës kundër nazistëve në atë vend.

Gjatë misionit sekret, oficerët amerikanë të OSS-it si Tom E. Stefani nga Nju Hempshiri, i cili fliste shqip, dhe togeri i korpusit të Marinës Nik Kukiç nga Ohajo, i cili fliste rrjedhshëm serbisht, punuan me Enver Hoxhën gjatë muajve vendimtarë të luftës së Hoxhës kundër gjermanëve. Këta burra, tok me kapitenin e OSS-it Xhejms Hudson, një ndër oficerët më të zotë, ndërtuan një seri hallkash të shërbimit të fshehtë që i dhanë Aleatëve informacione tepër të çmuara mbi gjermanët. Këta burra gjithashtu kaluan shtigjet me aktorin amerikan Sterling Hajdn, një kapiten i OSS-it në Korpusin e Marinës i cili u pilotua nga Italia për në brigjet ballkanike me një anije të vogël, si dhe majori Entoni Kuejl, aktori anglez, i cili u sistemua në një shpellë së bashku me amerikanët.

Kapiten Stefani, i cili kishte lindur nga prindër emigrantë shqiptarë dhe mund të fliste dialektin tosk të Hoxhës në gjuhën shqipe, e njohu diktatorin komunist më mirë se kushdo tjetër. Anglezët, marrëdhëniet e të cilëve me amerikanët mbetën idhnake gjatë luftës në Shqipëri, nuk e duronin dot intimitetin e tij me Hoxhën. Pika kulmore e karrierës ushtarake të Stefanit arriti kur ai parakaloi me Hoxhën në Tiranë pasi qyteti ishte çliruar në nëntor 1944. Jeta e Stefanit pas lufte ishte e trishtuar derisa vdiq në rrethana dëshpëruese.

Një pjesë e mirë e materialeve të këtij libri janë fryt i shumë udhëtimeve në Shqipëri, ku unë kam intervistuar partizanë të moshuar që kishin luftuar me Hoxhën, si dhe dëshmitarë të ngjarjeve që ndodhën gjatë luftës. Unë vizitova bazat e fshatrave si në Dukat, Tragjas, Borsh, Dhërmi, Kuç, Himarë e të tjera ku janë zhvilluar shumë ngjarje. Unë kam qenë mbi Malin e Dajtit dhe nëpër gërxhet e Çermenikës ku Hoxha gati u kap nga gjermanët. Kam udhëtuar në veri të Shqipërisë nga Shkodra deri lart në Bogë dhe në fshatin e izoluar malor të Thethit. I kam rënë lart e poshtë gadishullit të Karaburunit nga toka dhe nga deti. Kam qenë në shpellën e njohur si Seaview-së përgjatë bregdetit që kontrollohej nga OSS-i si dhe në Gjirin e Gramës. Kalova ca kohë në shtëpinë e Xhelil Çelës përgjatë rrugës bregdetare, të cilën OSS-i e kishte një bazë të sigurt, si dhe kam përshkuar rrugën e bregdetit nga njëra anë e saj në tjetrën. Kam ndjekur itenerarin që kishin përshkuar partizanët në ndjekje të armikut dhe kam qëndruar në qytete si Saranda, Vlora, Përmeti, Korça, Berati, Gjirokastra, Tirana, Elbasani, Peshkopia, Pogradeci e tjetërkund. Kam udhëtuar i hipur mbi gomar nëpër malet e Shqipërisë jugore ku Enver Hoxha kishte vendosur shtabin e tij.

Në Tiranë unë pata mundësi të merrja informacion nga Biblioteka Kombëtare dhe nga Muzeu Historik Kombëtar si dhe isha fatlum që sigurova një kopje të librit të Gjeneral Mehmet Shehut Lufta për Çlirimin e Tiranës, një histori autentike e Shehut për atë luftë, një libër që nuk është përkthyer ende nga gjuha shqipe. Lehtësirat në Bibliotekën Publike të Bostonit më siguruan kopjet e mikrofilmave të disa gazetave shqiptaro-amerikane që ishin botuar në Boston në dekadat deri në Luftën e Dytë Botërore dhe pas saj. Kërkimet e mija më çuan në Bibliotekën Publike të Lakonisë në Nju Hempshir, Muzeun e Luftës së Dytë Botërore në Natik, Masaçusets, Bibliotekën Shtetërore të Masaçusetsit, si dhe në arkivat e Boston Globe dhe  Boston Herald, për të cilat kisha punuar.

Libri nuk do të ishte shkruar pa patur mundësinë e shfrytëzimit të dokumenteve të OSS-it në Arkivat Kombëtare të College Park në Merilend. Atje në kuti njëra pas tjetrës ndodhen mijëra raporte dhe dokumente origjinale dërguar nga agjentët e OSS-it në Shqipëri Herri T. Fulcit (Harry T. Fultz), shefi i zyrës shqiptare të OSS-it në Bari, Itali. Shumë nga këto materile janë cituar në libër. Gjithashtu unë u mbështeta fort në intervistat e drejtpërdrejta personale me pak nga njerëzit e OSS-it të mbetur gjallë. Një burim kyç i shumë intervistave si me telefon dhe në internet në shtëpinë e tij në Delaware, ishte Nik Kukiçi, i cili kishte punuar me Stefanin dhe ishte në krah të Gjeneral Shehut në Luftën e Tiranës. Një tjetër burim i rëndësishëm ishte Kostas “Gus” Ruci, të cilin e kam intervistuar në shtëpinë e tij në Napoli, Florida, si dhe shumë herë me anë të telefonit apo me postën elektronike. Ruci dhe vëllai i tij i ndjerë, Xhorxhi, ishin radio-operatorë që punuan me Hudsonin dhe Stefanin. Si Kukiçi dhe Ruci ishin bujarë jo vetëm me kohën që më kushtuan, por edhe më dhanë fotografi dhe dokumente. Intervistova gjithashtu Semeon Simallarin, një tjetër radio-operator në shtëpinë e tij në Wayland, Masaçusets, si dhe bisedova me Hudsonin me anë të internetit.

Këta njerëz dhe shqiptarët që punuan me ta – disa duke sakrifikuar edhe jetën – meritojnë ta kenë historinë e tyre të shkruar. Unë e quaj veten me fat që jam njeriu që po e tregoj atë. /Përgatiti për botim Xh. Shehu