Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Përfitimet nga skema e detyrueshme për të vetëpunësuarit në bujqësi

Çdo i vetëpunësuar në bujqësi nëpërmjet skemës së detyrueshme të sigurimeve shoqërore mund të sigurojë jo vetëm të ardhura nëpërmjet marrjes së pensionit, por edhe të pagesave për barrëlindje, si dhe shpërblimin për lindjen e fëmijës. Nga zbatimi i kësaj skeme çdo person pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, sipas rastit mund të jetë përfitues i pensionit të plotë të pleqërisë, pensionit familjar, si dhe pensionit të invaliditetit.

Personi që futet në skemën e detyruar të sigurimit shoqëror për t’u siguruar si i vetëpunësuar në bujqësi, duhet të plotësojë këto kushte: “Të ketë mbushur moshën 16 vjeç, të jetë i aftë për punë, si dhe nuk duhet të jetë i siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë”. Por, duhet të dini se çdo person mund të sigurohet nëpërmjet kësaj skeme deri në mbushjen e moshës për pension.

Për të përfituar nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, çdo i vetëpunësuar duhet që të banojë në të njëjtin rreth ku dhe ka tokën bujqësore në pronësi ose në përdorim, dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore e blegtorale, apo edhe të banojë në fshat, megjithëse tokën mund ta ketë në rrethin fqinjë.

I vetëpunësuarinë bujqësi paraqet tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi të sigurimeve shoqërore këto dokumenta: certifikatën familjare të lëshuar nga zyra e gjëndjes civile, si dhe vërtetimin e pronësisë mbi tokën, lëshuar nga Zyra e rregjistrimit të pasurisë së paluajtshme prane organeve te pushtetit vendor. Po ashtu, mund të dorëzojë edhe aktin noterial, që vërteton tjetërsimin e pronës (përshembull qiramarrje). Në çdo rast, për sigurim të periudhave për vitin korent, si dhe për periudha të kaluara, do të paraqitet vërtetimi i lëshuar nga komuna, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari, bujqësore apo blegtorale.

Inspektori i të vetëpunësuarve në bujqësi, pasi gjykon për plotësimin e kushteve për sigurim si i vetëpunësuar në bujqësi plotëson dokumentin tip “Urdhër veprim”. Për të bërë pagesën paraqitet ky dokument në zyrën postare ose në zyrën bankare. Me kryerjen e pagesës zyra postare lëshon dokumentin “Mandat arkëtimi”, ndërsa me kryerjen e pagesës në zyrën bankare lëshohet dokumenti “Veprim arke”, i cili konfirmon kryerjen e kësaj pagese. Me dokumentin “Mandat arkëtimi” ose “Veprim arke” personi paraqitet për regjistrim tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi, ku ka marrë “Urdhër veprimin”.Këto dokumenta në asnjë rast nuk duhet t’i dorëzohen punonjësve të sigurimeve shoqërore. Ato janë personale. Në fund të procedurës dhe pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore bëhet pajisja e detyrueshme me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Pagesat që duhet të bëni për skemën e detyrueshme të sigurimeve si i vetëpunësuar në bujqësi ndryshojnë sipas zonës në të cilën ndodhet toka. Kështu sipas ndarjes së bërë: në zonat malore përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në këto rrethe: Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë. Në zonat fushore përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrethet Berat, Kuçovë, Durrës, Krujë, Elbasan, Peqin, Fier, Lushnjë, Mallakastër, Gjirokastër, Përmet, Korçë, Pogradec, Devoll, Lezhë, Laç, Shkodër, Tiranë, Kavajë, Vlorë, Sarandë dhe Delvinë.Sigurimi si i vetëpunësuar në bujqësi është i detyrueshëm. Për secilën zonë janë përcaktuar tashmë edhe pagesat e kontributeve që duhet të bëhen për të përfituar nga skema e sigurimeve të detyrueshme, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.

Pagesa bëhet e ndarë në mënyrë të barabartë për çdo tremujor. Afati i pagesës së kontributeve është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik. Pagesa duhet të bëhet sipas afateve të përcaktuara, në të kundërt do të aplikohet kamatëvonesë.

Si të verifikoni online kontributet e derdhura

Ky është një shërbim elektronik, i cili u mundëson qytetarëve të konsultojnë online kontributet për sigurimet shoqërore të të vetëpunësuarve në bujqësi dhe vullnetarëve. Procedura zhvillohet në portalin online “e-albania”.

Dokumentacioni i nevojshëm që duhet për të bërë kontrollin e kontributeve, dokument i identifikimit të përdoruesit: kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin e-albania). Pasi të hyni në portal duhet që të identifikoheni si qytetar  dhe të zgjidhni shërbimin “Kontributet për sigurimet shoqërore të të vetëpunësuarve në bujqësi dhe vullnetarëve”, si dhe të klikoni butonin “Përdor”. Informacionin e shfaqur mund ta printoni, shkarkoni si skedar në formatin ‘pdf’ ose ta dërgoni me e-mail.

Për të vetëpunësuarit\Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore

  • Sigurimi si i vetëpunësuar në bujqësi është i detyrueshëm.
  • I vetëpunësuari në bujqësi, që banon në zonat fushore, mbeshtetur ne VKM nr. 653, date 22.07.2015, duke filluar nga data 01.08.2015 e në vazhdim, duhet të derdhë kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 38, 400 lekësh.
  • I vetëpunësuari në bujqësi, që banon në zonat malore, mbeshtetur ne VKM nr. 653, date 22.07.2015, nga data 01.01.2015 e në vazhdim, duhet t’i derdhë kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 29, 400 lekësh.
  • Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhen bashkarisht. Ato janë të detyrueshme dhe paguhen individualisht një herë në tre muaj.
  • Afati i fundit i këtyre pagesave është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik.
  • Për të bërë sigurim për periudha të kaluara, pagesa e kontributeve bëhet kundrejt masave aktuale, mbi të cilën aplikohen dhe kamatëvonesat përkatëse.

Vërtetimii pagesës së kontributeve si i vetëpunësuar nëbujqësi për vitet 1993-2013

  • Prej fillimit të këtij muaji të gjitha shërbimet e skemës së sigurimeve shoqërore tashmë po ofrohen vetëm online nëpërmjet portalit qeveritar “e-albania”. Në këtë sportel online shumë të vetëpunësuar mund të sigurojnë edhe vërtetimin për kontributet në bujqësi të derdhura ndërmjet viteve 1993-2013. Ky shërbim ofrohet në përputhje me Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, të ndryshuar.
  • Për këtë shërbim nuk nevojitet dokumentacion shoqërues gjatë kryerjes së procedurave të aplikimit online. Për këtë mjafton që të hyni në portal nëpërmjet adresës e-albania.al, si dhe të identifikohuni si qytetar.
  • Më pas duhet që të zgjidhni shërbimin “Vërtetim i pagesës së kontributeve të të vetëpunësuarve në bujqësi ose sigurim vullnetar (1993-2013), si dhe të klikoni butonin “Përdor” ku do të nisni me plotësimin e formularit përkatës. Pas plotësimit me kujdes të të dhënave të sakta në këtë formular, ju duhet që të dërgoni aplikimin.
  • Pas procesimit vërtetimin mund ta gjeni në çdo kohë në seksionin “Dokumentet e mia” te hapësira juaj në portalin “e-albania”.
  • Periudha e vlefshmërisë për marrjen e këtij vërtetimi për kontributet e derdhura si i vetëpunësuar në bujqësi përgjatë viteve 1993-2013 është pa afat, ndërkohë që nuk shoqërohet me asnjë kosto financiare.