Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Pranimet tek Drejtësia, kushtet si do përzgjidhen fituesit e rinj të 2022

Krahas kritereve të pranimit, në ndihmë të maturantëve që do të konkurrojnë gjatë këtij viti për të ndjekur studimet e larta në programin e studimit të Drejtësisë janë konfirmuar edhe kuotat e mundshme për pranimet e reja. Sipas vendimit të marrë nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës bëhet e ditur se për Fakultetin e Drejtësisë edhe për pranimet e vitit të ri akademik janë miratuar 640 kuota. Kaq do të jetë numri i fituesve në radhët e maturantëve që do të konkurrojnë përgjatë muajve korrik-gusht për të vijuar studimet e larta në këtë institucion.

Lidhur me kriteret mbi të cilat do të bëhet përzgjedhja e fituesve të rinj që do të ndjekin studimet në degën e Drejtësisë, autoritetet e këtij fakulteti sqarojnë se janë rikonfirmuar tre kushtet e pranimit. Kështu, përzgjedhja e fituesve do të përcaktohet nga ndikimi që ka mesatarja e shkollës së mesme, ajo e provimeve të Maturës Shtetërore 2022, si dhe mesatarja e lëndëve formuese që vetë Fakulteti i Drejtësisë i ka përcaktuar si prioritet.

Referuar këtyre kritereve, bëhet e ditur se 40 për qind të pikëve maturanti do t’i sigurojë nëpërmjet mesatares së shkollës së mesme, 10 për qind të pikëve nga vlerësimi i mesatares së provimeve të Maturës Shtetërore, si dhe 50 për qind të pikëve nga vlerësimi i mesatares së lëndës formuese. Sa i takon kriterit të tretë, bëhet e ditur se si lëndë preferenciale nga vetë fakulteti, janë përcaktuar lëndët gjuhë shqipe, gjuhë e huaj, letërsi, qytetari, histori ekonomi dhe matematikë. Tre lëndët që kanë ndikimin më të madh, e që vlerësohen maksimalisht sa i takon këtij kriteri, janë: gjuha shqipe, letërsia, si dhe gjuha e huaj, ku secila prej tyre ka 10 për qind të ndikimit në rezultatin final të pikëve që do të sigurojë aplikuesi në këtë degë. Ndërsa lëndët e tjera të kësaj liste vlerësohen me 5 për qind të ndikimit në rezultatin final që do të sigurojë kandidati që aplikon për këtë program studimi. Mesatarja e këtyre lëndëve do të llogaritet nga të gjitha vlerësimet që maturanti ka marrë po në këto lëndë të zhvilluara përgjatë tre viteve të shkollës së mesme, përfshirë këtu edhe notën e provimit të Maturës Shtetërore nëse maturanti e ka përzgjedhur për ta dhënë si lëndë me zgjedhje. Më shumë shanse për të qenë fitues në këtë program studimi kanë kandidatët që kanë kryer studimet e shkollave të mesme të përgjithshme, seksioneve dygjuhëshe, etj, pasi këto profile shkollash vlerësohen me koeficientin maksimal 1.2, ndërsa profilet e shkollave profesionale vlerësohen me koeficientin 1.0.

Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në fushën e Drejtësisë realizohen me 300 kredite, për një kohëzgjatje prej jo më pak se 5 vite akademike. Personat që kryejnë studimet e integruara në drejtësi, ose në një program të ciklit të dytë të studimeve, të barasvlershëm me to, mund të konkurrojnë për t’u përgatitur si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë, avokatë të shtetit, përmbarues privatë ose shtetërorë, si dhe juristë në administratën shtetërore, qendrore dhe vendore, pasi të kenë kryer provimin e shtetit në drejtësi.

Kriteret e pranimit në Fakultetin e Drejtësisë

  • Nota mesatare e përgjithshme e të gjithë viteve të shkollës së mesme 40% të vlerësimit
  • Nota mesatare e të gjithë provimeve të maturës shtetërore 10% të vlerësimit
  • Lëndët preferenciale që vlerësohen me 50 % të peshës në shpalljen e fituesve të rinj. Konkretisht bëhet fjalë për këto lëndë formuese: Gjuhë shqipe, gjuhë e huaj e parë, si dhe letërsi që vlerësohen secila me nga 10 për qind, si dhe lëndët Qytetari, Histori, Ekonomi, si dhe Matematikë që vlerësohen secila me nga 5 për qind të ndikimit.
  • Të gjitha shkollat e mesme gjimnaze, brenda dhe jashtë vendit (përjashtuar gjimnazin me kohë të shkurtuar), e kanë koeficientin 1.2, ndërsa të gjitha shkollat e mesme me karakter profesional e kanë koeficientin 1.0