Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Prodhimi në serra, trend për sipërmarrësit e rinj

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Prodhimi bujqësor në serra po kthehet në një trend për sipërmarrësit e rinj, falë edhe skemave të mbështetjes por edhe kërkesës në rritje të eksporteve për këto prodhime.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca solli sot shembullin e 36 vjeçarit nga Cakrani i Fierit që është një prej shumë atyre të rinjve që po angazhohen me punët në bujqësi.

Andi Sula, prej 5 vitesh e gjysmë merret me bujqësi. Ai ka ngritur serrat në tokën e tij dhe shprehet i kënaqur, nga kjo punë që i jep përfitime ekonomik dhe kënaqësi në biznesin e tij.

“Je pranë natyrës çdo ditë. Sigurisht është e vështirë, por është një punë që të fal shumë kënaqësi dhe fitime”, thotë Sula.

“Terreni dhe bujqësia janë bashkë si lodhja me fitimin”, shprehet 36 vjeçari nga Cakrani.

Gjatë vitit 2022, prodhimi bujqësor në serra u rrit me rreth 3 %, ndërsa produktet e perimeve në serra përfaqësuan mbi 22 % të prodhimit të përgjithshëm bujqësor vendas.

Skemat e subvencionit në bujqësi dhe programi IPARD, janë një fakt konkret i rritjes dhe zhvillimit të bujqësisë, në mbështetjen që i adresojnë fermerëve dhe sipërmarrjeve që operojnë në këtë sektor.

Me mbështetjen e AZHBR-së, janë ndërtuar 78 serra të reja diellore moderne të teknologjisë së lartë në 12 bashki të vendit, disa prej të cilave janë shndërruar në komplekset më të mëdha të serrave krahasuar me vendet e rajonit. Konkretisht për kultivimin e fidanëve të perimeve, apo edhe prodhimin e perimeve të freskëta, siç janë ato Fier, Lushnjë e Divjakë.

Me mbështetjen e AZHBR, nëpërmjet Programit IPARD, fermerët gjithashtu janë mbështetur të investojnë në ndërtimin e serrave diellore të automatizuara, që ka nxitur punësimin, ka ndikuar në rritjen e prodhimit për eksport  dhe rritjen e të ardhurave për familjet rurale.

Mbështetja financiare dhe lehtësitë fiskale po nxisin fermerët drejt investimeve në ngritjen e serrave të reja bujqësore që sigurojnë prodhimin gjithëvjetor që sipas statistikave zyrtare arri në çdo vit rritet me 100 ha sipërfaqet e mbjella me serra në vendin tonë.

Sipas MBZHR, mbi 52 % e prodhimit të perimeve në serra i përket qarkut Fier. Ndër produktet që kryesojnë me prodhimin më të lartë është domatja që zë 51,9 % të prodhimit të përgjithshëm në serra.

Statistikat tregojnë se, qarku me përqindjen më të lartë të prodhimit të perimeve në serra ndaj prodhimit të perimeve gjithsej është Berati me 64,62 % dhe Fieri 27,79 %, përqindja më e ulët është shënuar në qarqet Korçë dhe Gjirokastër, 0,16 % dhe 0,42 %.

/gj.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.