Kisha e Shna Ndout në Kepin e Rodonit është restauruar pas dëmtimeve të tërmetit të 26 nëntorit 2019 në kuadër të programit EU4Culutre të BE-së. Ndërhyrjet konsistuan në riparimin dhe konsolidimin e muraturës, instalimeve elektrike dhe sistemit të kullimit rreth kishës.
Kisha e Shna Ndout është një nga pak shembujt e mbijetuar të një sinteze të stileve arkitekturore rajonale dhe bizantine. Kisha dëshmon një histori të gjatë dhe së bashku me zonat natyrore dhe vijën bregdetare, ky sit i trashëgimisë kulturore ka një potencial të madh në zhvillimin ekonomik lokal.
“Kisha e Shna Ndout është vetëm një nga shumë monumente kulturore të pazëvendësueshme të Shqipërisë që BE-ja po ndihmon në restaurim dhe rivitalizim në kuadër të programit EU4Culture, në mënyrë që të stimulojë zhvillimin ekonomik lokal. EU4Culture është programi më i madh dhe më ambicioz i trashëgimisë kulturore i ndërmarrë ndonjëherë nga BE-ja në Ballkanin Perëndimor dhe kjo tregon solidaritetin dhe prioritetin e madh që BE-ja dhe Ekipi i Evropës i jep Shqipërisë ”, nënvizoi Alexis Hupin, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri
“Mendoj se ky është një shembull shumë i mirë i përdorimit të fondeve, për të ruajtur monumentet e kulturës dhe traditat aq më tepër kur ato rrezikohen nga faktorë të ndryshëm.
Me duhet të them që jam shumë krenar për punën që është bërë rreth 20 vjet më parë. Nuk e di nëse mund të flas për Bashkimin Evropian, por unë mundem të flas për Skuadrën Evropë. Kështu që po përsëris vetëm ‘Evropa është këtu’, dhe kjo do të thotë se ky bashkëpunim shumëvjeçar dhe ky projekt që e restauroi kishën, që e bëri përsëri të bukur është një shembull i mirë i koordinimit dhe bashkëpunimit që kemi së bashku këtu në Shqipëri, vendin tonë partner”, u shpreh Peter Zingraf.
Punimet konservuese janë duke u zhvilluar në shtatë asete të trashëgimisë kulturore në të gjithë Shqipërinë, ndërsa nëntë të tjera janë planifikuar të fillojnë këtë vit.