Qeveria e ka shtyrë për në korrik rishikimin e buxhetit. Kjo pasi qershori është I mbuluar me Paketën e Rezistencës Sociale, që parashikon ndihmë financiare prej 3 mijë lekësh për shtresat e varfra dhe pensionistët përballë rritjes së çmimeve. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se në korrik do të bëhet jo vetëm shpërndarja e të ardhurave shtesë, të grumbulluara gjatë pjesës së parë të vitit, si pasojë e rritjes së çmimeve, por edhe rialokime të mundshme nga projektet që nuk kanë performuar mire.
Të dhënat nga dikasteri i Financave tregojnë se gjatë 4 mujorit të parë të këtij viti, që janë edhe statistikat e fundit zyrtare, të ardhurat u realizuan sa 107% e planit. Për këtë periudhë janë mbledhur 187.8 miliardë lekë të ardhura ose 34.7 miliard lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Një rritje ekuivalent me 22.7%.
Ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike, për 4 mujorin e 2022-it, arritën në rreth 168.5 miliardë lek ose sa 95% e planit. Kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, ky zë rezulton 725 milionë lekë më shumë, ekuivalent me 0.4 % rritje. Niveli i suficitit për periudhën 4 mujore rezultoi në rreth 19.2 miliardë lek. Ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli i deficitit rezultonte në masën 14.8 miliardë lekë
Është pikërisht kjo shtesë e të ardhurave që do të përdoret për hartimin e një pakete Rezistence 2, si garanci për buxhetin në përballimin e çdo emergjence të mundshme. Paralelisht, mësohet se do të ketë edhe rialokime për sektorë të ndryshëm, të cilat janë duke u vlerësuar.
o.j/dita