Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Studimet “Master”, kriteret për 980 kuotat e miratuara në degët e Filologjikut

Studimet e ciklit të dytë “Master” për vitin e ri akademik në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë do të mund t’i ndjekin 980 kandidatë të rinj. Kaq është numri i pranimeve të reja të miratuara nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës për këtë fakultet, ku 617 prej kuotave do të jenë për kandidatët që do të pranohen në degët e “Masterit shkencor”, si dhe 363 kuota për pranimet e reja që do të realizohen në programet “Master profesional”. Autoritetet e këtij fakulteti bëjnë me dije se për pranimet e vitit të ri akademik 2022-2023 konkurrimet do të zhvillohen në 16 programe të ndryshme studimi që përfshijnë të dy nivelet e masterit. Ndarjen e plotë të kuotave për secilën degë studimi e gjeni të plotë në vijim të shkrimit.

Krahas kuotave të pranimit, pak më herët janë miratuar edhe kriteret mbi të cilat do të përcaktohet shpallja e fituesve të rinj që do të ndjekin studimet e nivelit të dytë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Konkurrimet do të zhvillohen me anë të dosjes, ndërkohë që janë përcaktuar edhe kandidatët që do të kenë prioritet në përzgjedhje.

Kriteret për pranimet në “Master shkencor”

Një ndër kriteret e pranimit të studentëve në ciklit të dytë të studimeve “Master i Shkencave” në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, për vitin akademik 2022-2023 është njohja e gjuhës së huaj sipas testeve ndërkombëtare të licencuara. Kështu të gjithë kandidatët që do të garojnë për kuotat e këtij cikli studimi duhet që të kenë dhënë një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, në nivelin B1), sipas Vendimit nr 18, dt 13.07.2016, të Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës.

Në konkurrim më shumë përparësi kanë studentët që kanë përfunduar studimet “Bachelor” në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, për të vijuar më pas me studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të njëjta të universiteteve të tjera publike të akredituara. Nëse do të ketë sërish kuota të lira përparësia e radhës do të jenë studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të përafërta të Universitetit të Tiranës, për të vijuar më tej me studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në universitete me programe më lëndë të njëjta ose të përafërta. Ndërkohë që të fundit në përzgjedhje do të jenë studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të njëjta apo të përafërta të universiteteve private të akredituara. Renditja e secilit fitues bëhet sipas kritereve të mësipërme, duke respektuar notën mesatare të studimeve të ciklit të parë “Bachelor”.

Kriteret në programet “Master profesional”

Tre janë kriteret mbi të cilat do të përcaktohet shpallja e fituesve të rinj që do të pranohen në degët e “Masterit profesional”. Fillimisht në përzgjedhje kanë përparësi studentët të cilët kanë përfunduar studimet “Bachelor”, në këtë fakultet, për të vijuar me studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë njëjta në universitete publike dhe private të akredituara. Ndërsa të tretët në prioritet do të jenë studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në Universitet me programe të njëjta ose të përafërta, të akredituara. Edhe në këtë rast, renditja e secilit fitues bëhet sipas kritereve të mësipërme duke respektuar notën mesatare.

Për programet e nivelit profesional, për aplikimet në programet e “Master profesional”, nuk do të jetë e nevojshme njohja e gjuhës së huaj. Për të fituar të drejtën e studimit në një nga programet master, çdo i diplomuar në fakultetet publike dhe private të vendit, duhet të dorëzojë sipas afateve të përcaktuara dosjen me dokumentet e duhura, çka do të thotë se konkurrimi do të zhvillohet nëpërmjet dokumenteve të dorëzuara në dosjen e kërkuar. Sa i takon procedurës së aplikimit, sqarohet se kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dosjen e dokumenteve në afatet e përcaktuara, të cilat do të bëhen publike gjatë ditëve në vijim.

Pranimet në degët e mësuesisë

Kriteret e përzgjedhjes së fituesve të rinj që do të pranohen në degët “Master Profesional në Mësuesi” për vitin akademik 2022-2023 janë: Studentët të cilët kanë përfunduar studimet e nivelit të parë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, më pas studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të njëjta në universitete publike dhe private të akredituara, si dhe studentët të cilët janë diplomuar jashtë vendit në universitete me programe të njëjta ose të përafërta, të akredituara. Renditja e secilit fitues bëhet sipas kritereve të mësipërme duke respektuar notën mesatare.

Kriteret për pranimet në degën “Gazetari investigative”

Në ciklin të dytë të studimeve Master profesional në “Gazetari Investigative” kanë  përparësi: studentët të cilët kanë përfunduar studimet “Bachelor”, në Gazetari, Komunikim, Marrëdhënie Publike, ose të ngjashëm me këtë program. Në rast se numri i aplikimeve e kalon kuotën e parashikuar të pranimeve nga njësia bazë (departamenti), kandidatët do të seleksionohen sipas: nivelit të përshtatshmërisë së diplomës “Bachelor” në studimet në programin Master profesional në “Gazetari Investigative”. Nota mesatare e grup lëndëve të specialitetit, që do të përcaktohen nga Komiteti Shkencor, si dhe nota mesatare e përgjithshme (mesatarja 5= 1 pikë, 5.1= 2 pikë…10=50 pikë).

Pranimi i studentëve në ciklin e dytë bëhet gjatë muajit shtator. Kërkesat për pranim paraqiten pranë Sekretarisë mësimore brenda afateve ligjore të përcaktuara nga MAS. Pas përfundimit të fazës së aplikimeve, Komisioni vlerësues i departamentit shqyrton kërkesat dhe paraqet listën e aplikantëve, të renditur nga ai që klasifikohet me më shumë pikë, deri tek ai që është me më pak pikë (si rregull: rreth një javë nga afati I përfundimit të aplikimeve). Lista shpallet në vende të dukshme dhe fituesit njoftohen nga sekretaria mësimore. Pas përfundimit të fazës së regjistrimeve, viza zbret aq herë sa ç’parashikohet në udhëzimet e institucioneve përgjegjëse për pranimet në institucionet e arsimit të lartë.

KUOTAT E PRANIMEVE PËR VITIN E RI AKADEMIK NË FAKULTETIN E HISTORI-FILOLOGJISË

Programet Master i Shkencave / Kuotat

  • Master i Shkencave në “Gjuhësi 58
  • Master i Shkencave në “Studime Letrare” 56
  • Master i Shkencave në “Histori” 15
  • Master i Shkencave në “Marredhenie Nderkornbetare” 50
  • Master i Shkencave në “Trashëgimi Kulturore 25
  • Master i Shkencave në “Arkeologji” 25
  • Master i Shkencave në “Gjeografi”            33
  • Master i Shkencave në “Gazetari dhe Komunikim” 100

Programet Master i Profesional / Kuotat

  • Master Profesional në “Mësuesi në Histori për arsimin e mesëm “   130
  • Master Profesional në “Mësuesi për Gjeografi për arsimin e mesëm” 150
  • Master Profesional në “Mësuesi në Gjuhë letërsi për arsimin e mesëm” 176
  • Master Profesional në “Arkivistikë” 30
  • Master Profesional në “Redaktori” 59
  • Master Profesional në “Mësuesi në “Guidë turistike” 25
  • Master Profesional në “Gazetari Investigative” 25
  • Master Profesional në “Sistemi i Informacionit Gjeografik te Aplikuar” 22

Kreditet në secilin cikël studimi

  • Ligji i arsimit të lartë, përcakton se programet e studimeve “Master profesional” e pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Në përgjithësi këto programe organizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja është 1.5 vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
  • Ndërsa programet e studimit “Master i shkencave” e pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike. Këtu përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diplomë (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
  • Programi i studimit të ciklit të dytë mund të realizohet edhe si program i integruar i studimit i ciklit të dytë, me 300 kredite dhe me kohëzgjatje normale prej 5 (pesë) vitesh akademike. Ky program studimi ofrohet në drejtësi, si dhe në fusha të tjera të përcaktuara nga aktet nënligjore. Studimet në këtë program përmbyllen me punim diplome dhe studentët pajisen me diplomë të integruar në fushën e arsimimit të kryer.