Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Tre skenarët për Presidentin: Si mund të zgjedhim këtë herë një President, për të cilin nuk do mezipresim të mbarojë mandatin

Nga Marenglen Kasmi

Botuar në DITA

Mendoj se ishte e  parashikueshme që edhe raundi i dytë i zgjedhjes së Presidentit të ri (2022-2027) do të dështonte. Jo sepse është e vështirë të gjenden kandidatura serioze që do t’i bënin nder shqiptarëve e karriges së zhvleftësuar të Presidentit të Republikës, por për faktin se duket ashiqare që nuk ka vullnet politik për këtë gjë. Të paktën në këto dy raunde të para është opozita ajo që e demonstron mungesën e këtij vullneti, paçka se retorika e tyre politike fajëson mazhorancën për këtë dështim. Kush ka sy e veshë e kupton, por gjithsesi opozita duhet të bëjë punën e saj, ndonëse si ngahera, shkel e shko.

Moszgjedhja e një kandidati prej atyre tetë kandidaturave tregoi se PD-ja (grata) nuk i siguronte dot 20 deputetë mbështetës për ta çuar për votim në seancë plenare emrin e një kandidati, sikurse e parashikon procedura. Kështu që, duhej fajësuar Edi Rama se e prishi marrëveshjen, duke mos i dhënë “borxh” opozitës asnjë firmë deputeti, – qoftë ajo edhe “e pa argasur”, për ta zgjedhur kësisoj Presidentin, pa hyrë ende në seancë plenare. Parë në këtë këndvështrim, kryeministrin Rama mund ta akuzosh se “nuk pranoi pazarin”, por jo se prishi marrëveshjen. Madje, ndoshta nuk ke pse akuzon fare kaq lart, mund të ndalesh te Taulant Balla, i cili duket se po shijon daljet e munguara  televizive.

Kopertina e Ditës, 24 Maj 2022

Sigurisht që Edi Rama dhe Rilindja është komode dhe e ka të mundur të zgjedhë vetë Presidentin e ri në raundin e katërt, sikurse ka deklaruar. Po ashtu, z. Rama nuk rrezikon aspak se mund të privojë veten nga kjo gjë kur i “lëshon litar” opozitës dhe i kërkon të sjellë kandidatë për votim. Një kamp opozitar i përçarë, “ku qeni nuk njeh më të zonë”, nuk përbën rrezik për të. Kjo është për të gjithë ne e qartë. Për z. Rama, po e po!

Kështu që me shumë gjasa raundi i tretë do t’i ngjajë dy pararendësve dhe situata do të ndizet flakë në raundin e katërt. Deri atëherë, opozita, si ajo grata e non grata, do të vazhdojnë të akuzojnë z. Rama se ka minuar procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe që synon “të uzurpojë edhe Presidencën”. Për hir të së vërtetës, duke njohur retorikën e opozitës, kushdo qoftë ai/ ajo që do të zgjidhet kryetar shteti, do të etiketohet si njeriu i Ramës. Koha më pas do tregojë.

Në një vend normal demokratik, procedura e zgjedhjes së Presidentit është veç finalizimi institucional i një procesi transparent, ku kandidati/ kandidatja bëhen të njohur herët mjaftueshëm. Dhe jo vetëm për t’iu bërë biografinë. Për fat të keq, jemi larg këtij realiteti, prandaj t’i kthehemi hallit tonë.

Ekzistojnë të paktën tre skenarë: Skenari i parë, që 20 deputetë të opozitës së bashkuar propozojnë përsëri një emër të spikatur, i cili në seancë plenare votohet nga së paku 84 deputetë, është i pamundur. Madje, hollë-hollë, ai mezi plotëson edhe kushtet për t’u marrë në konsideratë si skenar.

Skenari i dytë: “Grupi negociator i PS”, propozon një kandidate/ kandidat me një përvojë profesionale si shumë edhe shqiptarë të tjerë, por që është i dëshiruar për z. Rama. Socialistët do të ndihen të tradhtuar, paçka se nuk është hera e parë. Asgjë nuk do të ndodhë: Tri ditë zhurmë nga opozita dhe më pas një hyrje pa bujë në Presidencë. Këtë zgjidhje e kemi të garantuar qysh tani, pa pritur votimin. Emri do të jetë surprizë, jo veprimi.

Skenari i tretë: PS propozon një personalitet të spikatur, i cili gëzon respekt te pjesa e shëndoshë e shqiptarëve. Cilat janë cilësitë që duhet të ketë një kryetar shteti?

Patriotizmi, dashuria ndaj atdheut janë cilësitë thelbësore që duhet të karakterizojë presidentin e një vendi. Ai nuk shprehet me fjalë. Po ashtu, nuk mjafton të ulesh në gjunjë e të bësh shfaqje duke improvizuar shqiponjën me duar. Duhet që në kohë të marra, që Shqipëria ka kaluar në këto 32 vite demokraci, të kesh treguar maturi politike dhe të kesh rrezikuar për të. Më tej, ai/ajo duhet të zotërojë sjelljen me takt, të prezantohet në mënyrë të sigurt dhe të rrezatojë qetësi. Të jetë pa pretendime për salltanete të mëdha, i thjeshtë e me përvojë institucionale, politike e jetike. Pra, asnjë nuk duhet të mendojë se në karrigen e Presidentit është ulur dikush që nuk duhet marrë seriozisht. Ky kandidat duhet të garantojë qysh në përzgjedhje jetëgjatësi institucionale. Pra, jo mezi të presim sa të mbarojë mandatin, çka e kemi kthyer në normalitet, por dreqi ta marrë, të jetë dikush që duhet ti lutemi të qëndrojë edhe një mandat të dytë. Po ashtu, ky kandidat duhet të jetë i ndjeshëm dhe i vështirë në të njëjtën kohë. Dhe me humor, madje ngjitës! Ky popull mbase ka nevojë edhe të qeshë me cenet e veta e jo vetëm të mburret me gjëra që nuk janë për t’u mburrur.

Së fundmi, por jo nga rëndësia, z. Rama do të godiste në shenjë nëse kandidati për President është një nga ata që kanë dhënë shumë për demokracinë e vërtetë dhe jo nga ata që vetëm kanë marrë prej saj. Pra, kurrsesi një i majtë. Ky veprim jo vetëm që do të shënonte fundin e tranzicionit politik në Shqipëri por po ashtu do të plotësonte edhe pritshmërinë e opozitës. Kësisoj, z. Rama do të sillte për votim kandidatin që në fakt duhej ta kishte nxjerrë opozita, e cila nga ana tjetër nuk mund të mos e votojë një personalitet me këto kredenciale. Në këtë rast, sigurisht që do të maksimizoheshin votat. Me anë të këtij veprimi z. Rama do të tregonte se ndonëse i dha opozitës shansin të zgjidhte një kandidat të mirë, ajo ende nuk është e pjekur politikisht të bëjë diçka të mirë për vendin, e jo më të qeverisë në mënyrë cilësore. Shkurt, do ta diskreditonte më shumë opozitën. Në fakt, kjo gjë edhe do ta zbaviste z. Rama.

Skenari i tretë është ai i duhuri. Nëse do të ishim një vend me kulturë demokratike, kjo do të ishte zgjedhja dhe zgjidhja logjike, madje në bashkëpunim edhe me opozitën. Por, duke ditur se kurrsesi nuk jemi i tillë, ruajna Zot!

©️Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016