Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Ulet mesatarja e pranimit për disa degë, maturantët që do të përfitojnë

Vendimi i miratuar dje

Rënia e kërkesave në radhët e maturantëve për të ndjekur programet e mësuesisë për shkak të kufizimit të mesatares, ka bërë që qeveria të rishikojë mesataren minimale që duhet për të konkurruar për kuotat e vitit të ri akademik 2022-2023 në degët e fakulteteve që përgatisin mësuesit e rinj. Në mbledhjen e zhvilluar gjatë ditës së djeshme, Këshilli i Ministrave ka kaluar vendimin për uljen e notës mesatare për disa degë. Lidhur me këtë vendim, autoritetet sqarojnë se ulja e mesatares nuk do të prekë programet e mësuesisë. Autoritetet e arsimit sqarojnë se mesatarja që do të duhet për të konkurruar në degët e mësuesisë do të vijojë të jetë mbi 7 për profilet e gjuhëve të huaja, dhe mbi 7.5 për programet e gjuhësisë dhe letërsisë, etj. Ky ndryshim vjen për shkak të aplikimeve shumë të ulëta që universitetet kanë regjistruar në këto degë, pasi cikli i lartë i studimeve për mësuesi jo gjithmonë është zgjedhja e studentëve.

Në daljen publike të bërë në lidhje me rishikimin e mesatares, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka sqaruar se cilët maturantë do të mund të përfitojnë nga ky ndryshim. “Me reformën e mësuesisë të gjithë maturantët që duhet të vazhdojnë për mësuesi duhet të kenë mesatare 7.5. Nisur nga shqetësimet e universiteteve që jo të gjithë maturantët duan të bëhen mësues, në këto programe mund të hyjnë edhe ata maturantë që duan të vazhdojnë një profesion tjetër. Mund të ketë nga ata përshembull për gjuhë të huaj që mund të bëhen përkthyes dhe jo mësues, po kështu edhe për ata të letërsisë, që nuk duan të bëhen mësues. Me vendimin e fundit i japim mundësi edhe maturantëve që mbarojnë me mesatare 6.5 të hyjnë në këto programe të ciklit të parë, por që në ciklin e dytë do të vazhdojnë degë të tjera dhe jo të mësuesisë”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme ministrja Evis Kushi.

Në këto kushte, çdo maturant me mesatare 6.5 mund të hyjë në programet e ciklit të parë në universitete, por ciklet në vijim do të jenë kufizuese për ta pasi nuk mund të aplikojnë në degët e mësuesisë, çka do të kontrollohet nëpërmjet kodit të veçantë me të cilin do të pajisen. “Ne i japim mundësinë edhe maturantëve që mbarojnë studimet me 6.5 të hyjnë në këto programe të ciklit të parë, por ata do të kenë një numër standard në numrin e matrikulimit që më pas të mos vazhdojnë për mësuesi, por të vazhdojnë në programet e tjera të ciklit të dytë master për profesione të tjera. Është një ndryshim që e kemi dakordësuar dhe me vetë universitetet dhe presim që në vitin e ardhshëm, numri i regjistrimeve të jetë më i lartë. Mësuesit do të vazhdojnë të jenë maturantët me mesatare minimumi 7.5”, vuri në dukje ministrja Kushi.

Llogaritja e mesatares për universitetin

Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve si vijon: “mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore”. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore.

Konkurrimi për studimet e larta

Aplikimi për studimet e larta për kuotat e reja të pranimeve do të kryhet vetëm nga kandidatët që kanë përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave (me përjashtim të kategorive të përcaktuara), si dhe kriteret shtesë të pranimit që janë konfirmuar tashmë nga vetë universitetet. Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve 2-vjeçare me karakter profesional, bëhet e ditur se nuk kanë detyrim të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.

“Të drejtën për të konkurruar për studimet e larta edhe për vitin e ri akademik 2022-2023 do e kenë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurrojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer. Krahas mesatares minimale që duhet për të hyrë në konkurrim, të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend kanë përcaktuar tashmë edhe kriteret mbi të cilat do të bazohet përzgjedhja e fituesve të rinj do të përzgjidhen në procesin e konkurrimeve të këtij viti.

Kushtet si do zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore 2022

  • Katër janë provimet që do të zhvillojnë maturantët edhe përgjatë Maturës Shtetërore të këtij viti, 3 provime të detyruara që do të zhvillohen në lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila është përzgjedhur sipas preferencave të maturantit nga lista zyrtare e miratuar nga MAS për çdo profil shkollor: shkollat e mesme të përgjithshme, ato artistike, si dhe shkollat profesionale.
  • Maturantët kanë nisur tashmë me fazën finale të përgatitjeve për provimet e detyruara dhe me zgjedhje. Sipas afateve të përcaktuara nga MAS provimi i parë në lëndën e gjuhës së huaj do të zhvillohet në datën 9 qershor, për të vijuar më pas në datën 11 qershor me provimin e gjuhës shqipe dhe letërsisë, në datën 17 qershor me testin e lëndës së matematikës. Ndërsa prova e fundit që do të duhet të kalojnë do të jetë provimi me zgjedhje që do të zhvillohet në datën 24 qershor.
  • Përzgjedhja e pyetjeve për hartimin e testeve përfundimtare të provimeve do të bëhet nëpërmjet teknologjisë digjitale nga specialistë të caktuar me urdhër të QSHA. Përzgjedhja e pyetjeve të testit do të bëhet në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit brenda ambienteve të izoluara të QSHA-së. Të drejtën e përzgjedhjes së pyetjeve e kanë vetëm ekspertët e përcaktuar nga kjo qendër që njihen si përzgjedhësit e testit përfundimtar (PTP). Specialistët e tjerë të QSHA-së në periudhën e hartimit të testit nuk kanë të drejtë që të përzgjedhin, sugjerojnë, ndryshojnë testet e hartuara nga PTP. Pas hartimit të përmbajtjes finale të testit të çdo lëndë do të bëhet edhe shumëfishimi i tyre dhe paketimi nga punonjësit e caktuar.
  • Përjashtimisht vetëm për Maturën Shtetërore 2022, procedurat e përcaktuara për hartimin e testeve do të zbatohen rreptësisht për provimet e lëndëve: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikës, si dhe për provimin me zgjedhje për lëndët:kimi, biologji, dhe fizikë. Për lëndët e tjera të provimit me zgjedhje nuk do të zbatohen këto procedura të parashikuara në nenin për hartimin testeve.
  • Provimet do të nisin në orën 10:00 dhe do të zgjasin për dy orë e gjysmë. Testi për secilin nga provimet do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë, ndërkohë që do të ketë në përmbajtje pyetje me alternativa, si dhe pyetje me zhvillim.
  • Për të orientuar maturantët në lidhje me përgatitjen për provimet e maturës, janë zbardhur edhe programet orientuese me temat që duhet të rishikoni me kujdes për zhvillimin e provimeve. Provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të tre lëndëve të detyruara janë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë. Programet e lëndëve me zgjedhje janë të njëjta për të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë aplikuar me plotësimin e formularit A1 dhe A1Z. Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë, si dhe asaj me zgjedhje.