Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Zgjedhja e Presidentit, Alibeaj: Maxhoranca nuk u qëndroi fjalëve. Balla: Nëse vijoni me formulën 4-2-1, le ta themi që sot se nuk kemi konsensus

Konferenca e kryetarëve është mbledhur sërish këtë të martë për të diskutuar mbi përzgjedhjen e Presidentit të Ri.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj tha se procesi po minohet nga maxhoranca që sipas tij nuk i është përmbajtur fjalëve të thëna. Ai tha se duhet që Presidenti të zgjidhet me konsensus, siç e parashikon Kushtetuta dhe që ndoshta, s’ka ndodhur asnjëherë në të kaluarën.

“I kuptoj shqetësimet që kolegët e mi thonë dhe përpiqem t’i jap të drejtë. Kjo është një çështje e cila sigurisht na përfshin ne si opozitë dhe mbi të gjitha duhet parë se çfarë qëndrimi ka pala tjetër për Presidentin e Republikës, në një proces që duhet të ketë pse jo sintetizim të të gjitha nevojave, shijeve të opozitës, por s’është kjo parësore. Parësore është qëndrimi i palës tjetër. S’është palë dosido. Është palë e cila nuk ka legjitimet për të zgjedhur e vetme Presidentin e Republikës. Pala tjetër e ka thënë që mirëpresim raundin e 4 dhe të 5. Ata duan të zgjedhin një President të tyrin. Ajo që kemi bërë.

Një proces i përbashkët ku opozita të mos ishte një mbushëse topi. Jo. Por të vendosej në kushte reale që po merr pjesë në një proces serioz. Kjo ishte shenja më e plotë dhe energjike. Duan të shkojnë te raundi i katërt të shkojnë. Ne kemi bërë detyrimet tona. Kthehemi përsëri te historia që u kthyem në fillim, fjalët e tepërta janë fukarallëk. Nuk i qëndrojnë fjalët, asaj që pohuan vetë. Këtu s’është për të testuar se sa unike është opozita. Ajo edhe e gjen fjalën dhe të përbashkohet në qëndrimet e veta. Ai që do të jetë Presidenti i Republikës, të ketë më së paku 84 vota, që ne si kemi.

S’i keni as ju. Serioziteti i procesit do të donte që në atë dokument të rënë dakord të shkohej deri në fund. Kjo do i jepte seriozitet procesit, e këtu mbaron gjithçka. Teksa tërhiqen do të thotë që i kanë thënë të gjitha. Në këtë proces futemi si detyrim politik, detyrim për të zhbërë atë që në të shkuarën s’ka shkuar shumë mirë. E bëmë këtë. Besoj që përballë publikut atë që kishim për të dhënë e dhamë. Pala tjetër mesa duket është e qartë që e ka bërë gjetjen e vet. Unë besoj se procesi i zgjedhjes së Presidentit nuk është eksperiment. Ajo që po ndodh në këtë proces, është me pistoletë mbi tavolinë. Kjo është një gjuhë e varfër qëndrimi që mban pala tjetër. Ne marrim pjesë në proces, por as lojë dhe as farsë nuk bëhet në sy të shqiptarëve”, tha Alibeaj.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i është drejtuar opozitës, duke thënë se nëse vijohet me idenë se presidenti do të zgjidhet me patjetër në katër kandidaturat e propozuara nga opozita, atëherë është më mirë që të bëhet e qartë që sot që konsensus në këtë proces nuk ka dhe të vijohet me hapat e tjera.

“Si mund të thuash hajde negociojmë, unë propozoj Tabakun, Dumën, Gjekmarkaj dhe Alebeajn, edhe presidenti i bie të jetë ose Tabaku ose Duma. Ky nuk është proces. Më mirë thoni na e lini ne të zgjedhim presidentin. Ju pretendoni të keni presidentin, ne mendojmë ndryshe. Presidenti apo presidentja duhet të kalojë përmes një proces më të gjerë. Ne nuk do propozojmë kandidatë me datë 30, me shpresën se mund të ndodhë ajo që tha Mediu, mund të ndodhë. Do shkojmë në grupin parlamentar të PS, do themi kanë ardhur këto kandidatura pastaj do vijmë tek ju për secilin. Nëse mendoni që ju propozoni katër dhe mes tyre patjetër duhet të jetë presidenti, ky nuk është proces. Unë mendoj që bisedimet duhet të vijojnë. Nëse 4, 2 1 është formula juaja le të themi që sot nuk kemi dakordësi dhe le të kërkojmë nga partitë e tjera që të propozojnë kandidatura që mund të marrë mbështetje”, tha Balla.

o.j/dita