TIRANË, 28 nëntor/ATSH/- Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut u shpreh sot se “109 vjetori i ditës së flamurit dhe i pavarësisë na gjen më të arrirë, më të bashkuar dhe më pranë njëri tjetrit”.

Në mesazhin e tij të urimit me rastin e Ditës së Pavarësisë, Ahmeti thekson se “kombi sot duhet, nderohet dhe bashkohet me vepra”.

“Unazën e lidhjes së kombit po e rrumbullakësojmë me Korridorin 8 dhe lidhjen me Bllacën e Qafë Thanën me autostradë, ndërsa projekti i radhës është edhe lidhja energjetike dhe hekurudhore me Shqipërinë si dhe thjeshtëzimi maksimal i kalimit të kufirit me Shqipërinë e Kosovën, bashkë me shumë projekte të tjera ku bën pjesë edhe rruga e Arbërit nga Burimi deri tek ura e Boshkut, e cila tashmë ka filluar të ndërtohet”, thekson Ali Ahmeti.

Ai nënvizon se “nëntorët tanë të lavdisë, të Skenderbeut, të Ismail Qemalit, Isa Boletinit e Adem Jasharit na bashkojnë rreth flamurit dhe qëllimit të bashkimit”.

“Uroj të gjithë shqiptarët anembanë rruzullit tokësor për festën më të madhe kombëtare shqiptare, GËZUAR”, përfundon mesazhin e urimit, Ahmeti.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.