Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

BUXHETI 2022: Qeveria prezanton paketën e ndihmës për familjet në nevojë, rriten pagat për mjekët edhe mësuesit nga viti i ardhshëm

Qeveria shqiptare ka miratuar paketën e ndihmës për familjet në nevojë, që do të futet në fuqi në janar të vitit 2022.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka njoftuar vendimet e qeverisë për ndihmën e familjeve në nevojë, që përfitojnë asistencë. Paketa përfshinë edhe fëmijët jetimë dhe gratë e trafikuara.

“Kemi disa vendime të rëndësishme për të komunikuar. Pas diskutimeve për buxhetin, sot qeveria mori vendimin për miratimin e projektbuxhetit për 2022 dhe po komunikojmë vendimet e rëndësishme. Këto politika të reja do të influencojnë në mbështetjen e qytetarëve në nevojë si ai i ndihmës ekonomike.

Dua të ndaj disa vendime të rëndësishme. Programi i ndihmës ekonomike do të ketë një rritje të masës së ndihmës për të gjitha familjet në masën 10%. Do të ketë politika të shënjestruara për familjet që përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike; familjet me mbi tre fëmijë nën 18 vjeç do të ketë një rritje të ndihmës me dy herë.

Do të vijojmë që të mbështesim fëmijët jetimë, duke ua dyfishuar masën e mbrojtjes së këtij programi, dy herë më shumë. Edhe për gratë e trafikuara dhe dhunuara do të ketë një rritje me tre herë. Për të vijuar me mbështetjen për kategoritë në nevojë për shtresat që mbrohen gjithashtu me subvencionin e energjisë, 45 mln dollarë do të vijojnë të alokohen për këto shtresa”, tha ajo.

Gjithashtu ministrja njoftoi se do të ketë rritje te pagave edhe për mjekët dhe infermierët nga 1 korriku i vitit 2022.

“Do të ketë një rritje për pagat për personelin mjekësor, mjekë dhe infermierë. Vetëm për 2021 është rritur 40% e pagave për mjekët, ne do të vijojmë në 2022 me 6% rritje të pagës për mjekët dhe infermierët duke u futur në fuqi nga 1 korriku 2022”, tha Manastirliu.

Edhe Ministrja e Arsimit, Evis Kushi deklaroi se në vitin e dytë të mandatit të qeverisjes së socialistëve, pra në vitin 2022, pagat e mësuesve do të rriten me 6%.

Ajo u shpreh se nga kjo rritje do të përfitojnë edhe punonjësit psiko-social nëpër shkolla.

“Së pari dua të ndaj me ju lajmin e mirë për mësuesit dhe mësueset në të gjithë Shqipëri. Vitin e ardhshëm pagat do të rriten  me 6%. Ky është hapi i parë i premtimit tonë që brenda këtij mandati pagat e mësuesve të rriten në 40%. Pagat nuk po rriten vetëm për mësuesin por edhe për punonjësit psiko-social në shkollat tona.

Kontributi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm. Ndërkohë lajme të mira vijnë edhe për arsimin e lartë. Një nga objektivat tonë është ndërkombëtarizimi i universiteteve në mënyrë që të diplomuarit tanë të kenë aftësi të konkurueshme me të rinjtë dhe të rejat në BE. Projektet e bashkëpunimit me universitetet më prestigjoze”, deklaroi Kushi.

j.l./ dita