RIGA, 11 tetor /ATSH-AFP/ – Letonia shpalli sot një gjendje emergjente shëndetësore tremujore për shkak të ringjalljes së infeksioneve COVID-19 në nivele rekord, ndërsa vaksinimi i popullsisë mbetet në një nga nivelet më të ulëta në BE.

Numri i infektimeve ditore tani është më shumë se 1 000, një shkallë e përhapjes së pandemisë më e lartë se ajo që ishte parë më parë gjatë vitit.

Sipas rregullave të reja, maska ​​bëhet e detyrueshme në të gjitha mjediset e hapura për publikun dhe çdo punonjës në administratën publike duhet të vaksinohet deri më 15 nëntor.

Të pavaksinuarit nuk do të lejohen në supermarkete dhe vetëm dyqanet që konsiderohen thelbësore do të lejohen të hapen gjatë fundjavave.

Banorët janë këshilluar të punojnë në distancë sa herë të jetë e mundur.

“Unë ju kërkoj të mos grumbulloheni, të mos vizitoni të afërm dhe të zvogëloni kontaktet tuaja”, shkroi kryeministri Krisjans Karins në Tëitter.

Spitalet letoneze tashmë janë të tejmbushur nga pacientët e prekur me COVID-19.

Vetëm 48 për qind e letonezëve janë vaksinuar plotësisht, që është një nga nivelet më të këqija të vaksinimit në Bashkimin Evropian, pas Bullgarisë, Rumanisë dhe Kroacisë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.