Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

DOKUMENTET / Rrushaj kërkoi mosprishjen e pallatit ne Kinostudio, por aktekspertiza e Institutit të Ndërtimit e ka nxjerrë të rrezikshëm për jetën e familjeve

Nënkryetari i PD, Alfred Rushaj, deklaroi sot se pallati nr. 4 në rrugën “Myslym Keta” në Tirane nuk është për t’u demoluar dhe se banorët mund të jetojnë aty. Por, nga ekspertiza e kryer mbi këtë pallat, pas tërmetit te 26 nëntorit, nga Instituti i Ndërtimit dhe ekspertet e tij, rezulton se kjo ndërtesë është e dëmtuar rëndë dhe rrezikon jetën e banorëve nëse do të vijojnë që të jetojnë aty.

Siç mund të shihet edhe nga dokumentet, akt ekspertiza e thelluar e pallatit nr.4 në rrugën “Myslym Keta” është kryer nga operatori ekonomik Infratech & Arkimade shpk. Sipas rezultateve të akt ekspertizës, ka dalë se pallati është për demolim dhe se kostoja e rikonstruksionit të tij shkon 116% të vlerës. Sipas ligjit shqiptar, nëse vlera e rikonstruksionit të një ndërtese e kalon në 70% vlerën që duhet për ta rindërtuar, kjo ndërtesë duhet të prishet për t’u ndërtuar nga e para.

Nga inspektimet dhe analizat e kryera vihet re që tërmeti i datës 26.11.2019 ka lënë pasoja dhe dëme të konsiderueshme në strukturë dhe jo vetëm, ku dallohen qartë edhe çarje mbi hapësirën e dritareve, çarje diagonale në mure mbajtës e krisje diagonale në mure mbajtëse, etj.

Ekspertët arrijnë në përfundimin se asnjë nga muret mbajtës të pallatit nuk e ka kaluar testin dhe për pasojë strehimi në to i familjeve do të mund të krijonte një tjetër tragjedi me pasoja si ato të tërmetit të dy viteve më parë, ku pati dhe humbje jete.

Një fakt i tillë pohohet edhe nga oponenca e kryer nga Instituti i Ndërtimit, që konfirmon këtë rezultat, duke dalë në konkluzionin se demolimi i këtij pallati është zgjidhja e duhur për sigurinë e banorëve.

Ekspertët e institutit të Ndërtimit kanë arritur në konkluzionin se godina në gjendjen që është, e dëmtuar, nuk i plotëson kushtet sizmike dhe se do të duhet të rindërtohet nga e para, pasi kostoja e rikonstruksionit të tij e kalon 70 për qind shumën që do të duhej për ta bërë nga e para.

“Akt ekspertiza e thelluar për objektin “PALLATI 4”, Rruga “Myslym Keta”, është e detajuar dhe e bazuar në studime, prova laboratorike dhe analiza strukturore të plota. Nga analiza e kësaj ekspertizë dhe vlerës së punimeve të rikonstruksionit dalim si përfundim që “PALLATI 4”, RRUGA “MYSLYM KETA”, TIRANË duhet të prishet dhe të ndërtohet i ri. Projekti i ndërtimit pallatit të ri të hartohet konform Eurokodeve 8 për nivelin e performancës për rastin e efekteve sizmike”, thuhet në ekspertizën e Institutit të Ndërtimit.

Pas daljes së ekspertizave dhe oponencës, Këshilli Bashkiak miratoi vendimin nr. 22 , datë 01.03.2021 për prishjen e e pallatit sipas sugjerimit të ekspertëve.

j.l./ dita