Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

E vërteta, kategori e përjashtuar nga politika. Sali Berisha është një shembull

Bedri Islami

Botuar në DITA

Ditët e fundit, media të ndryshme në Shqipëri, natyrisht jo të gjitha, publikuan një foto të Sali Berishës në vilën e Enver Hoxhës. Në të njëjtën kohë, përsëri jo të gjitha mediat, publikuan foto nga shkatërrimi përfundimtar dhe dërgimi për skrap i Rafinerisë së Ballshit, duke i vënë kështu kapakun e fundit të vdekjes së përpunimit të thellë të naftës në Shqipëri dhe kthimit të saj si në fillimet e shekullit të shkuar.

Që Sali Berisha ka qenë në vilën e Enver Hoxhës, kjo nuk përbën asnjë risi dhe nuk ka qenë e papritur. Ka qenë njëra nga dëshirat e hershme dhe synimet e ngulitura të tij që të ishte pjesë në ato mjedise, ku do të kishte shërbyer besnikërisht. Edhe në librin të shkruar nga ai, për kardiologjinë, fjalët e para janë mirënjohje për mësimet e partisë dhe të shokut Enver. Nuk bën përjashtim nga shumë të tjerë.

Fakti që ai e ka fshehur këtë të vërtetë, po ashtu nuk përbën risi. Gjithçka që ka dashur ai, e ka fshehur.

Ka fshehur të vërtetën e delegimit të tij në protestat e studentëve, bisedën e bërë dhe marrëdhëniet e ndërlikuara me Ramiz Alinë , e më tej, me fisin Kapo. Asnjëherë nuk ka bërë të njohur se, si është e mundur që në të gjithë atë gamë të gjerë intelektualësh, Xhelil Gjoni, njeriu i hekurt i fundit të diktaturës, e po ashtu i fisit Kapo, gjeti pikërisht Berishën për të dërguar natën në vilën e Ramiz Alisë.

Ka fshehur lidhjet e tija me njerëz të deleguar nga shërbime të huaja, financimin e PD-së në fillimin e vitit 1991 nga politika greke dhe ardhjen e njeriut të parë të politikës serbe,  në janar 1991, i cili jo rastësisht kishte lidhje me fisin e gruas së tij;

Ka fshehur ditëlindjen e tij të saktë, njeriu me dy data lindjesh, duke e shpënë pranë ditëlindjes së Enver Hoxhës dhe të vërtetën e vrasjeve në Tropojë, ku pas një fjalie të tij u hapën 200 varre;

ka fshehur përse ndodhi viti 1997 dhe kush ishte njeriu në pas skenën e vitit të mprapshtë tragjik;

ka fshehur të vërtetën përse i bëri thirrje banorëve të zonave veriore për të sulmuar jugun “rebel” dhe përse i armatosi besnikët e tij, duke i shndërruar në banda, ashtu si do të saktësonte më vonë shoqëruesi i tij besnik, Izet Haxhia;

ka fshehur të vërtetën e qenies së tij në Francë dhe cilët ishin ata që kanë synuar ta bëjnë pjesë të shërbimit të fshehtë serb, dhe, mbi të gjitha, pranoi apo jo të bëhej, ai vetë ka dëshmuar se ndiqej në Paris nga njerëzit e këtij shërbimi;

ka fshehur të vërtetën e trafikimit të karburanteve në pikun e embargos ndaj Serbisë dhe të armëve në kulmin e luftës në Bosnje;

ka fshehur të vërtetën e depërtimit të figurave të larta të ekstremizmit islamik në Shqipëri dhe dhënien e nënshtetësisë shqiptare disa prej tyre;

ka fshehur me të gjithë forcën e tij të vërtetën e vrasjes së Remzi Hoxhës dhe zhdukjen e trupit të tij;

ka fshehur se kush e dërgoi Azem Hajdarin në pritën që e vrau dhe përse e kishte cilësuar haptas bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit;

ka fshehur shkakun përse u zhdukën dosjet e të gjithë bashkëpunëtorëve të UDB-së në Shqipëri dhe kush i rehabilitoi ato, duke i dërguar në vende të rëndësishme të shërbimeve diplomatike;

ka fshehur përse u shpall haptas kundër luftës çlirimtare në Kosovë, duke e cilësuar atë njëjtë si e kishte cilësuar ekstremisti serb, Sheshel, si organizatë terroriste – deklaratat e tij janë dhënë media serioze ndërkombëtare;

ka fshehur përse ndodhi grushti i shtetit i shtatorit 1998, e jo rastësisht me kulmin e ofensivës serbe në zonën operative të Dukagjinit; ende askush nuk e di se cili ishte shqiptari që telefonote nga Shtetet e Bashkuara, me një theks zanor të shqiptarëve nga Mali i Zi, që e këshillonte të tërhiqej nga institucionet. Nuk e dinte Berisha se pushteti nuk merrej me tanke në shtatorin e vitit 1998? Me siguri, po. Ai kishte qenë president. Godinën e partisë së tij e ktheu në depo armësh dhe mitingashët në banditë të armatosur. Kundër kujt?

Ka fshehur të vërtetën e Gërdecit, njëjtë si emrin e vërtetë të baxhanakut të tij të vrarë në Gërdec; por nuk fshiheshin dot emrat e të vrarëve dhe fëmijët që tërhiqnin predhat në fabrikën e vdekjes.

Ka fshehur fillimin e njohjes me Fazlliccin, nipin e Stanishiccit, shefin famëkeq të shërbimit të fshehtë serb në kohën e Millosheviccit. Fazllicci u bë i paprekshëm dhe vetë ai, në Kuvendin e Shqipërisë, pasi saktësoi se e kishte mik shtëpie, kërcënoi se do ua sillte në foltoren e parlamentit.

Në fund,por jo e fundit, mizorisht, fshehu dhe fshiu natën, të vërtetën e 21 janarit, duke zhdukur çdo provë të krimit të tij të katërfishtë.

Tani ka njerëz që habiten se Sali Berisha ka qenë për vizitë në vilën e Enver Hoxhës dhe dikur ka deklaruar se nuk ka qenë kurrë.

Sali Berisha ka një kujtesë të jashtëzakonshme, ai e di më mirë përse ishte, por kjo nuk përbën më lajm.

Një e pa vërtetë më shumë a më pak – kjo nuk ka lidhje me të vërtetën, por me njeriun që, ashtu si mashtroi për një vizitë, që mund t’i kishte ndodhur shumëkujt që ishte afër udhëheqjes, i ka ndodhur edhe atij. Jam i bindur se ka qenë i lumtur. Kjo shihet edhe në pamjen e tij. Fytyra i shkëlqen. Sytë i ndrisin. I gjithë trupi i tij shpreh admirim. Nuk ka qenë i vetmi. Ka pasur edhe burra të tjerë që një takim me Hoxhën apo një foto në praninë e tij,  u ka ndryshuar jetën. Ose, jo rrallë,  u ka përmbysur jetën.

Sali Berisha është i pandryshueshëm. Njeriu që kishte shansin historik për të ndryshuar këtë vend nga e mbara, e përmbysi. E përmbysi në konceptimin e shtetit, në vizionin për ndërtimin e tij, në besimin ndaj tij.

Por, edhe të tjerët pas tij, si në korin mitik të tragjedive të lashta, nuk bënë atë që njerëzit kishin pritur. Nuk u thanë, thuajse kurrë të vërtetën. Edhe kur u zunë me figurë dhe me zë duke bërë akte të rëndësishme korruptive deklaruan se kjo nuk është e vërtetë. Edhe kur askush nuk e di se çfarë i ka kushtuar vila ku banojnë, qoftë në Tranë, Lalëz apo Surrel, përsëri heshtin e nuk tregojnë të vërtetën. Edhe kur rrethohen me ministra dallkaukë dhe të korruptuar, përsëri heshtin.

E vërteta është molla e ndaluar për klasën tonë politike në 30 vite.

Këtë e tregon edhe fotoja e shembjes dhe e dërgimit për skrap të Rafinerisë së Ballshit. Së bashku me të shembet edhe jeta e një qyteti që u ngrit pikërisht nga Rafineria. E nisi shkatërrimin e saj në vitin 2008, kur qeveria Berisha ia dhuroi një banditi, që, pasi e kishte cilësuar vetë bandit, e bëri mik shtëpie dhe financues i biznesit të gruas së tij. Që asaj kohe, të gjitha qeveritë, edhe kjo e sotmja, e përmbysën vendin, e shkretuan, sepse e kanë më lehtë të gënjejnë, se sa të mendojnë për nga e mbara. Thuajse nëntë vite të qeverisjes së sotme nuk ndryshuan gjë nga e djeshmja. Ballshi i shembur është vula e të gjitha qeverive. Mëkati i tyre i përbashkët është më i madh se sa heshtja e Berishës për një foto te vila e Enver Hoxhës. Me atë që ka humbur shteti nga shfrytëzimi mizor i naftës mund të ngrihej një qytet i tërë. Dhe duke e shembur atë, njerëzit nuk besojnë më në asnjë të vërtetë.

Më kujtohet 1 prilli i vitit 1991, e nesërmja e zgjedhjeve të para pluraliste, të fituara nga e majta, ende Parti e Punës. Dërgova tim bir në kopsht dhe gjeta kujdestaren që po qante përmes një rrëkeje lotësh, e dëshpëruar nga humbja e opozitës. Ishte motra e një mikut tim të afërt, e njihja që nga ditët e rinisë së parë. Ishte shuar shpresa dhe ëndrra e saj. Kishte pasur bindjen, ashtu i kishin thënë, se disa qindra vaporë dhe anije të mëdha, mbushur me ushqime, rroba, pajisje elektrike po prisnin në portin e Barit dhe të Brindisit për të ardhur në Shqipëri , nëse do të fitonte Partia Demokratike.

Nuk i thoja dot gjë. Mashtrimi kishte nisur që me fjalën e parë.

Shumë vite më vonë, kjo grua zonjë, kishte edhe një fat tjetër të hidhur, më të hidhur se gjithçka. I vranë bijën e saj, gjyqtare e nderuar,  në mes të rrugës duke lënë mbesat në prehrin e saj.

E çfarë lidhje ka mes asaj që shkrova më sipër dhe ngjarjes së dhimbshme:

Në pamjen e parë, asgjë.

Mendoj se e keqja ka ardhur se njerëzit e politikës na kanë mashtruar gjithnjë dhe ne gjithmonë i kemi besuar; nuk i kemi detyruar të flasin si njerëz dhe të përkushtohen si njerëz.

E vërteta ka qenë kategori e përjashtuar nga politika.

Sali Berisha është një shembull. Ndoshta më tragjiku, por mbetet vetëm Një. E keqja që e mposhti këtë vend.