TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Sot, kryetari i PD Lulzim Basha i ka komunikuar shkarkimin nga funksioni i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Flamur Nokës, si dhe e ka paralajmëruar për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.

Arsyeja e këtij vendimi, sipas njoftimit të PD-së, është shndërrimi i mbledhjes së kryesisë së grupit në laborator të prodhimit të gënjeshtrave për të baltosur kryetarin dhe Partinë Demokratike, duke sajuar diskutime apo qëndrime, të pathëna dhe të paqena.

“Këto shpifje dhe sajesa të herëpashershme dhe të përsëritura, dëmtojnë interesin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve, duke shfokusuar vëmendjen e betejës së opozitës ndaj të vetmit kundërshtar që është armiku i Shqipërisë dhe shqiptarëve Edi Rama”, thuhet në njoftimin e Partisë Demokratike.

Deputeti i PD-së Flamur Noka tha sot se në mbledhjen e kryesisë së grupit parlamentar i kishte kërkuar kryetarit Lulzim Basha të mbajë përgjegjësi, pasi sipas tij, Basha mbrëmë i bëri poshtërimin e radhës anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur “llum”.

Po ashtu, Noka tha se “Foltorja e Sali Berishës është e vetmja alternativë për ta mbajtur këtë forcë të bashkuar dhe për ta shpëtuar nga rrokullimë ku Basha po e çon”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.