Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Ibrahimaj: Inkurajojmë dialogun për zgjidhjen e problematikave të biznesit

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Barrierat jotarifore me vendet e Ballkanit ishin në fokus të diskutimeve të grupi ndërinstitucional për koordinimin e Politikës Tregtare dhe Lehtësimin e Tregtisë në mbledhjen e tij të 12-të, nën drejtimin e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj vlerësoi rëndësinë e takimit, në një kohë kur në fushën e tregtisë po ndodhin zhvillime të rëndësishme.

Komiteti tashmë ka hartuar dhe miratuar një plan veprimi trevjeçar, bazuar në nevojat dhe shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e biznesit, gjatë mbledhjeve të mëparshme.

Ministrja Ibrahimaj tha se për zbatimin e këtij plani duhet bashkëpunimi i të gjitha palëve dhe shprehu angazhimin e saj për të inkurajuar dialogun, në mënyrë që problematikat të adresohen zgjidhje sa më shpejt.

“Mbetem e angazhuar në inkurajimin e dialogut me ju, për të vijuar diskutimin në detaje të problematikave që ju hasni dhe propozime konkrete për të gjithë ne anëtarët e ekzekutivit për t’i adresuar ato në kohë të shkurtër”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja bëri një përmbledhje të zhvillimeve kryesore në politikën tregtare të vendit dhe u shpreh se, arritjet e Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe politikës së jashtme tregtare u vlerësuan pozitivisht edhe nga progresraporti i Komisionit Europian, publikuar pak ditë më parë.

Ministrja Ibrahimaj informoi se pritet që gjatë muajit nëntor të zhvillohet Samiti i Open Ballkan, ku një fokus të veçantë do të marrë zbatimi i këtyre marrëveshjeve.
Në muajin korrik, si pjesë e procesit të Open Ballkan, Shqipëria ishte nënshkruese e tre marrëveshjeve, dy prej të cilave me impakt të drejtpërdrejtë për biznesin, si marrëveshja për heqjen e lejeve të punës dhe marrëveshja për lehtësimin e procedurave të import/eksportit dhe tranzitit të mallrave.

“Kontributi juaj aktiv, për të adresuar në këtë platformë rajonale shqetësimet tuaja të biznesit do të ishte i vyer me qëllim që ne të kemi zërin tuaj në parashtrimin e çështjeve për zgjidhje”, tha Ibrahimaj.

Një çështje e rëndësishme e ngritur si shqetësim nga biznesi lidhet me eksportet dhe parashikohet që vitin e ardhshëm të hartohet strategjia e eksporteve.

Referuar të dhënave, pavarësisht ndikimit të tërmetit dhe pandemisë, eksportet shqiptare drejt tregjeve rajonale dhe globale njohën rritje, ku vetëm gjatë 9 mujorit të këtij viti kapën vlerën e 2.18 miliardë euro, duke u rritur me 36 % ne krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si dhe me 18 % krahasuar me 9 mujorin e vitit 2019. Ndërkohë, rreth 54% e eksporteve të Shqipërisë në nivel CEFTE janë drejt Kosovës. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.