Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Këshilli i Ministrave: Ish-reparti ushtarak në Gramsh do të kthehet në varreza

Këshilli i Ministrave ka vendosur sot shndërrimin e ish-repartit ushtarak në Koçaj të Gramshit në zonën e varrezave të reja të qytetit.

Në vendimin e marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, VKM-ja cakton territorin e ri ku do të prehen të ndjerët.

VENDIMI I PLOTË:

V E N D I M PËR KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA GRAMSH, TË PRONËS NR.1439, ME EMËRTIM “ISH-REPART USHTARAK”, ME VENDNDODHJE NË ÇEKREZ, FSHATI KOÇAJ, GRAMSH, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Gramsh, të pronës nr.1439, me emërtim “Ish-repart ushtarak”, me vendndodhje në Çekrez, fshati Koçaj, Gramsh, sipas planrilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për ndërtimin e varrezave të reja të qytetit Gramsh.
  2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqet prona nr.1439, me emërtim “Ish-repart ushtarak”, me vendndodhje në Çekrez, fshati Koçaj, Gramsh, sipas planrilevimit, dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në pronësi ose në përdorim Bashkisë Gramsh, miratuar me vendimin nr.431, datë 11.7.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen, në pronësi ose në përdorim, të Bashkisë Gramsh, të Qarkut të Elbasanit”, të ndryshuar.
  3. Bashkisë Gramsh i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë atë në përdorim të tretëve.
  4. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë Gramsh dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA.

j.l./ dita