Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Kombëtarja e femrave, Doçi-Rexhepi: Synojmë të rikthehemi te fitoret me Armeninë

TIRANË, 19 tetor /ATSH – I. Vata/ Kombëtarja shqiptare e femrave ka nisur përgatitjet intensivisht për dy ndeshjet e eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”. Vajzat kuqezi, nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, kanë nisur grumbullimin në kompleksin Tropikal në Durrës ku po stërviten për dy sfidat e rëndësishme.

Në një prononcim për Fshf.org, kapiteni i Kombëtares, Megi Doçi ka deklaruar se fokusi kryesor është ndeshja me Armeninë, ku synohet vetëm fitorja për t’u përmirësuar në renditjen e grupit. Doçi thekson se Shqipëria e femrave prodhon futboll të bukur dhe është gati t’u tregojë të gjithëve se çfarë mund të bëjë.

“Duke ditur që përpara kemi dy ndeshje të rëndësishme përpara mendoj e grupi është në gjendje të mirë stërvitore, vajzat janë në formë gati për të dhënë maksimumin e për të bërë më të mirën në fushe. Objektivi ynë është që të bëjmë dy ndeshje mjaft të mira, sigurisht fokusi kryesor është ndeshja e parë me Armeninë dhe do të hyjmë në fushën e lojës për të dhënë gjithçka e për të marrë fitoren. Janë dy ekipe ndaj të cilave ne mund të bëjmë lojën tonë, duhet t’u tregojmë që ne dimë të luajmë futboll të bukur e që nuk kemi ardhur rastësisht e që mund ta fitojmë ndeshjen, – thotë Doçi duke shtuar më tej: “Mendoj se ne mund të jemi ekipi surprizë në grup pavarësisht se nuk e kemi nisur mirë, duhet të kishim fituar në premierën me Kosovën.

Prandaj futbolli është i bukur, sepse ka surpriza, por kemi ende shumë ndeshje përpara dhe duhet të tregojmë se dimë të bëjmë futboll të bukur dhe besoj që mund të bëjmë surpriza. Në radhë të parë është emocion të luash me ekipin kombëtar, është krenari e madhe, por më e rëndësishme është që të jap gjithçka për fanellën e Kombëtares dhe ta përfaqësoj sa më denjësisht e për të shënuar sa më shumë gola”, – deklaroi futbollistja e talentuar e Kombëtares shqiptare.

Ndërsa, portierja Viona Rexhepi shprehet optimiste për gjendjen e grupi, teksa pohon se ndaj Armenisë dhe Polonisë luhen dy sfida mjaft të vështira. Gjithsesi, Rexhepi ka besim se Shqipëria do të luajë për të marrë rezultate pozitive në të dyja takimet.

“Ndihem mjaft mirë në këtë grumbullim, grupi është i kompletuar dhe besoj që me këtë grup futbollistësh mund të arrijmë objektivat që i kemi vënë vetes në këto dy ndeshje. Besoj që ndaj Armenisë luajmë për të fituar, por edhe me Poloninë synojmë të marrim një rezultat pozitiv. Këto janë dy ndeshje shumë të vështira, por besoj se mund t’i kalojmë me sukses. Jemi të shortuar në grup mjaft të fortë e megjithatë do të mundohemi të arrijmë sa më lart. Synojmë që në të ardhmen të arrijmë në finalet e një Botërorit ose Europiani”, – deklaroi Rexhepi.

Sfida e parë e Shqipërisë ndaj Armenisë do të luhet në shtëpi më 21 tetor në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 17:00. Ndeshja e dytë është në transfertë ndaj Polonisë, më 26 tetor, ora 19:45 në “Tychy Stadium”.

Deri më tani Kombëtarja e femrave ka marrë 1 pikë në dy ndeshjet e para, pasi u mund nga Belgjika në transfertë dhe barazoi me Kosovën në shtëpi.

Shqipëria është shortuar në Grupin F të eliminatoreve të Botërorit, së bashku me Poloninë, Kosovën, Norvegjinë, Belgjikën dhe Armeninë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.