Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Kushi: Rritje me 6% e pagave të arsimtarëve dhe punonjësit psiko-socialë

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Qeveria ka miratuar në mbledhjen e së premtes projektbuxhetin e vitit 2022.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, në një komunikim me mediet, tha se “projektbuxheti i vitit 2022 sjell lajme shumë të mira për sistemin arsimor, për atë parauniversitar, por edhe për arsimin e lartë”.

“Dua të ndaj me ju lajmin për të gjithë mësuesit në të gjithë Shqipërinë për rritjen e pagave me 6 % vitin e ardhshëm. Ky është një premtim i mbajtur. Ne edhe në mandatet e kaluara i kemi rritur pagat për arsimtarët dhe ky është një premtim i parë i mbajtur në këtë mandat të tretë. Këtë vit pagat nuk rriten vetëm për mësuesit por edhe për punonjësit psiko-socialë në të gjitha shkollat”, deklaroi Kushi.

Ajo tha se, janë gjithësej 600 punonjës psiko-socialë që japin një mbështetje të madhe ndaj nxënësve dhe mësuesve gjatë periudhës së pandemisë.

Kushi deklaroi se “lajme të mira me këtë buxhet vijnë edhe për arsimin e lartë. Një nga objektivat dhe prioritetet tona për arsimin e lartë është ndërkombëtarizimi i universiteteve, me qëllim rritjen e cilësisë në arsimin e lartë. Këtë herë do të kemi një buxhet të dedikuar pikërisht në mbështetje të projekteve të universiteteve, projektet e bashkëpunimit me universitetet më prestigjioze europiane dhe botërore”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.